Autoritetet ruse njoftuan të shtunën se kanë tërhequr ambasadorin e saj në Armeni për konsultime në shenjë proteste ndaj afrimit të saj me Bashkimin Evropian.
I lidhur zyrtarisht me Rusinë, kombi kaukazian me rreth 3 milionë banorë ka thelluar lidhjet me Perëndimin vitet e fundit, pavarësisht varësisë së tij ekonomike nga Moska.
“Ambasadori i Federatës Ruse në Republikën e Armenisë, Sergei Kopyrkin, është thirrur në Moskë për konsultime në lidhje me hapat e ndërmarrë nga udhëheqja armene drejt afrimit me Bashkimin Evropian”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ruse.
Unioni Ekonomik Euroaziatik i udhëhequr nga Rusia njoftoi gjithashtu të premten se do të shqyrtonte pezullimin e Armenisë për shkak të kërkesës për anëtarësim në BE.
Në sondazhet e opinionit për zgjedhjet e qershorit prin Partia e kryeministrit pro-perëndimor Nikol Pashinyan duke lënë pas opozitën pro-ruse. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka mbështetur Pashinyanin, i cili erdhi në pushtet pas revolucionit të vitit 2018 dhe u rizgjodh në vitin 2021, shkruan Reuters.
Armenia thotë se Rusia dështoi ta mbronte atë gjatë luftimeve me Azerbajxhanin fqinj, me të cilin ishte prej kohësh në mosmarrëveshje për Nagorno-Karabakun, një rajon ish-separatist që kishte një popullsi etnike armene, të cilën Azerbajxhani e rimori në vitin 2023.
E Rusia thotë se vendet perëndimore po ndërhyjnë në Armeni me qëllim dobësimin e ndikimit rus në ish-Bashkimin Sovjetik.





