Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë rrugë me dy kahje dhe nuk mund të “vallezohet” vetëm – ose marrin pjesë të dyja palët, ose nuk ka partneritet. Kështu deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski, duke reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres së Jashtme të Bullgarisë, Velislava Petrova, e cila tha se Maqedonia duhet të kërkojë zgjidhje e jo probleme, dhe se Sofja nuk do të tërhiqet nga korniza e dakorduar në vitin 2022.
“Ky është shantazh dhe bullizëm. Nëse besojmë dhe qëndrojmë pas vlerave evropiane, atëherë duhet të besojmë dhe të qëndrojmë pas vlerave evropiane. E nëse ata mendojnë se për të qenë ne atje duhet t’i pranojmë kërkesat e tyre, atëherë kjo Qeveri atë lojë nuk do ta luajë dhe derisa unë jam kryeministër, derisa të shohim zbatim nga ana e tyre, ne nuk do të lëvizim as një milimetër”, tha Mickoski





