Institucionet publike në Kosovë kanë forcuar kapacitetet për identifikimin dhe parandalimin e rreziqeve të korrupsionit përmes një programi katërditor trajnimi mbi Vlerësimin e Rrezikut të Korrupsionit (CRA) dhe Vlerësimin e Legjislacionit ndaj Rrezikut të Korrupsionit (CPL), të organizuar nga Regional Anti-Corruption Initiative (RAI) në Prishtinë.
Programi u realizua në dy cikle trajnimi, të dedikuara për sektorin e sigurisë dhe sektorin e natyrës e biodiversitetit, me qëllim forcimin e mekanizmave parandalues kundër korrupsionit dhe promovimin e praktikave të qeverisjes në përputhje me standardet evropiane.
Në trajnim morën pjesë përfaqësues të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Ministrisë së Punëve të Brendshme, institucioneve të zbatimit të ligjit, autoriteteve mjedisore dhe institucioneve të tjera publike, të cilat janë të angazhuara në forcimin e integritetit, transparencës dhe llogaridhënies përmes metodologjive parandaluese kundër korrupsionit.

Metodologjitë CRA dhe CPL synojnë identifikimin e dobësive institucionale përpara se ato të shndërrohen në raste korrupsioni. Këto instrumente ndihmojnë institucionet të përmirësojnë procedurat e brendshme, të forcojnë kontrollin institucional dhe të integrojnë masa mbrojtëse të integritetit në legjislacion dhe politikat publike. Ato konsiderohen gjithnjë e më shumë si mjete të rëndësishme për forcimin e sundimit të ligjit, administratës publike dhe procesit të integrimit evropian.
Cikli i parë i trajnimit u fokusua në sektorin e sigurisë, ndërsa cikli i dytë trajtoi rreziqet e korrupsionit në sektorin e natyrës dhe biodiversitetit, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së burimeve natyrore përmes qeverisjes së mirë, vendimmarrjes transparente dhe institucioneve më rezistente ndaj korrupsionit.
Programi u hap nga drejtori i Regional Anti-Corruption Initiative (RAI), Albert Hani, drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, si dhe gjatë ciklit të dytë nga menaxheri i Programit për Arsim në Ambasadën e Austrisë në Prishtinë, Adnan Ahmeti.
“Integriteti nuk mund të mbështetet vetëm në zbatimin e ligjit. Ai duhet të ndërtohet në mënyrën se si institucionet hartojnë politikat, menaxhojnë rreziqet dhe ofrojnë shërbime publike. Vlerësimi i Rrezikut të Korrupsionit dhe Vlerësimi i Legjislacionit ndaj Rrezikut të Korrupsionit janë mjete praktike që ndihmojnë në shndërrimin e angazhimeve politike në reforma konkrete institucionale. Duke investuar në parandalim, ne forcojmë institucionet, rrisim besimin e qytetarëve dhe mbështesim rrugën e rajonit drejt integrimit evropian“, deklaroi Albert Hani.
Nga ana tjetër, drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, tha se korrupsioni dëmton funksionimin e institucioneve, mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e qëndrueshëm dhe besimin e qytetarëve, duke shtuar se metodologjitë parandaluese si CRA dhe CPL janë mjete konkrete për ndërtimin e institucioneve më të forta dhe më të përgjegjshme.
Menaxheri i Programit për Arsim në Ambasadën e Austrisë, Adnan Ahmeti, rikonfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë për reformat në fushën e qeverisjes së mirë, transparencës dhe luftës kundër korrupsionit përmes Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA), duke theksuar lidhjen mes mbrojtjes së mjedisit, sundimit të ligjit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Trajnimi u organizua në kuadër të projektit rajonal SEE-TAC II, në partneritet me UNODC – Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, me mbështetjen e International Partnerships Austria.
RAI shprehu mirënjohje për bashkëpunimin me Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, duke vlerësuar profesionalizmin dhe angazhimin e saj në zbatimin e suksesshëm të të dy cikleve të trajnimit, të cilët kontribuojnë në forcimin e integritetit institucional dhe promovimin e praktikave parandaluese kundër korrupsionit.
Organizata falënderoi gjithashtu Austrinë, Agjencinë Austriake për Zhvillim (ADA) dhe International Partnerships Austria për mbështetjen e vazhdueshme në ndërtimin e kapaciteteve institucionale, bashkëpunimin rajonal dhe avancimin e reformave të bazuara në parandalimin e korrupsionit në Evropën Juglindore.
RAI thekson se do të vazhdojë të mbështesë institucionet e rajonit përmes metodologjive praktike, bashkëpunimit rajonal dhe shkëmbimit të përvojave, me synim forcimin e integritetit, transparencës, llogaridhënies dhe besimit të qytetarëve në institucionet publike, ndërsa vendet e Evropës Juglindore vijojnë rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.





