Radika dhe Liqeni sërish të ndotur

Advertisement

Aktin e hedhjes së mbeturinave në lumin Radikë, i cili më pas derdhet në Liqenin e Dibrës, e kanë dënuar qytetarët dhe përfaqësuesit e shoqatave civile, të cilët kërkojnë nga organet kompetente që të marrin masa urgjente për zbardhjen e rastit dhe ndëshkimin e autorit

 

Vjollca SADIKU

 

Dibër, 10 shtator – Pushteti vendor i Dibrës, por edhe mbarë popullata dibrane, është e indinjuar nga pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale, ku në një video shihet një person duke hedhur mbeturina në lumin Radikë. Hedhja e mbeturinave bëhet duke zbrazur një furgon të mbushur me thasë me mbeturina. Në rrjetet sociale, dibranët, por jo vetëm, e dënojnë ashpër aktin e këtij personi, i cili për momentin nuk dihet se kush është dhe nga vjen. Kërkohen masa urgjente nga organet kompetente, si policia dhe inspektorët e institucioneve përkatëse, për identifikimin e personit dhe dënimin e tij sipas normave ligjore.

 

Komuna e Dibrës, në reagimin e saj, dënon ashpër hedhjen e mbeturinave në lumin Radikë dhe potencon se nga institucionet kompetente po merren masa për zbardhjen e rastit. “Qarkulloi një video ku shihet një person duke hedhur mbeturina në lumin Radika, pranë Liqenit të Dibrës. Një veprim i tillë është i papranueshëm dhe dëmton natyrën dhe mjedisin tonë. Për këtë rast, Inspektori i autorizuar për ambientin jetësor pranë Komunës së Dibrës do të ndërmarrë masat e nevojshme, në përputhje me kompetencat dhe legjislacionin në fuqi. Apelojmë te të gjithë qytetarët që të tregojnë përgjegjësi dhe të kujdesen për pasurinë natyrore të Dibrës. Radika nuk është vend për mbeturina”, thuhet në reagimin e Komunës së Dibrës dhe të kryetarit Fisnik Mela.

 

Aktin e hedhjes së mbeturinave në lumin Radikë, i cili më pas derdhet në Liqenin e Dibrës, e kanë dënuar qytetarët dhe përfaqësuesit e shoqatave civile, të cilët kërkojnë nga organet kompetente që të marrin masa urgjente për zbardhjen e rastit dhe ndëshkimin e autorit. Po ashtu, në reagimet e qytetarëve theksohet se mënyra e hedhjes së mbeturinave paraqet edhe një provokim, pasi personi, pa asnjë përgjegjësi, hedh sasi të mëdha mbeturinash në ujërat e lumit. Sipas pamjeve, bëhet fjalë për mbeturina plastike, por edhe mbetje ushqimore, gjë që ngre dyshime se mund të jenë mbeturina nga objekte shërbyese, si restorante apo subjekte hotelierike.

 

Deri tani nuk ka informata për personin që shihet qartë në video. “Nëse angazhohen institucionet kompetente, shumë shpejt do të sqarohet rasti”, thonë dibranët në rrjetet sociale. Liqeni i Dibrës shpeshherë përballet me ndotje, sidomos gjatë reshjeve të shiut, kur lumi Radikë sjell mbeturina nga deponitë e egra në rajonin e Rekës. Shoqatat ekologjike reagojnë vazhdimisht dhe shpesh organizojnë aksione për pastrimin e mbeturinave që përfundojnë në liqen, i cili gjatë sezonit veror përdoret edhe për relaks dhe larje. (koha.mk)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit