Me rastin e 35-vjetorit të miratimit të Kushtetutës, presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova, dje u takua me përfaqësues të Shoqatës së Juristëve të Rinj të Maqedonisë, të shoqëruar nga juristë të tjerë të përzgjedhur në konkurs.
“Siljanovska-Davkova, e cila ishte anëtare e jashtme e Komisionit Kushtetues në vitin 1991, fillimisht shprehu qëndrimin e saj mbi konceptin, përmbajtjen dhe strukturën e Kushtetutës, dhe më pas prezantoi fazat e miratimit të saj, me vëmendje të veçantë në përgatitjen e Draft-Kushtetutës, e cila u vu në diskutim publik, nga e cila dolën vërejtje të shumta mbi draftin paraprak dhe propozim-ndryshimet. Ajo përshkroi atmosferën në të cilën u zhvillua debati midis deputetëve, grupit të ekspertëve që përgatiti tekstin e punës dhe ekspertëve. Presidentja, në parim, e vlerëson pozitivisht Kushtetutën e vitit 1991, duke iu referuar zgjidhjeve kushtetuese krahasuese, vlerësimeve të institucioneve përkatëse ndërkombëtare dhe konstitucionalistëve. Megjithatë, ajo vuri në dukje edhe zgjidhjet problematike që nuk e kanë kaluar testin e kohës”, njoftoi Kabineti i Siljanovska-Davkovës.
Gjithashtu, presidentja theksoi „se jemi rekordmenë për nga numri i ndryshimeve kushtetuese, ndër të cilat një numër i madh janë imponuar nga jashtë, se jemi një rast i rrallë i një shteti që e ka ndryshuar preambulën dy herë dhe, për më tepër, duke përdorur një teknikë juridiko-kushtetuese të panjohur, se Kushtetuta është e vështirë për t’u lexuar për shkak të dispozitave të pasakta dhe të paqarta, si dhe terminologjisë juridike të ndryshme dhe të paharmonizuar, gjë që e bën atë të hapur ndaj interpretimeve të ndryshme“.
Për të, qëndrimi ndaj Kushtetutës është „shumë larg të qenit një qëndrim ndaj lex superior dhe marrëveshjes më të rëndësishme shoqërore ndërmjet qytetarëve dhe shtetit“.
“Sipas Siljanovska-Davkovës, Komisioni Kushtetues, në të cilin duhet të përfshihen edhe ekspertë të jashtëm të së drejtës kushtetuese, duhet të ndjekë vazhdimisht zbatimin e Kushtetutës, sipas shembullit të parlamenteve të tjera, duke identifikuar dobësitë e sistemit kushtetues-juridik dhe duke propozuar zgjidhje përkatëse, si dhe duke përgatitur një pjesë të re si materie kushtetuese për marrëdhëniet ndërmjet së drejtës maqedonase dhe asaj evropiane”, theksohet në kumtesën.
Përfaqësuesit e Shoqatës së Juristëve të Rinj të Maqedonisë e theksuan nevojën për kultivimin e patriotizmit kushtetues, duke u udhëhequr nga rëndësia e edukimit mbi Kushtetutën si themel i rendit juridik, garantuese e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe bazë për funksionimin e institucioneve demokratike.
“Sipas tyre, Kuvendi, gjatë procesit të ndryshimeve kushtetuese, duhet ta respektojë procedurën, duke mos harruar se sovraniteti buron nga qytetarët dhe u përket atyre. Ai duhet të jetë i hapur për ekspertët gjatë punës, dhe të favorizojë procedura gjithëpërfshirëse të vendimmarrjes, njoftoi Kabineti i Presidentes lidhur me takimin, i cili është pjesë e një serie bisedash të iniciuara nga juristët e rinj me personalitete që kanë marrë pjesë në hartimin, interpretimin dhe studimin e Kushtetutës.








