Ra mbi shina në hekurudhën afër Zagrebit, ndërron jetë 33-vjeçari nga Maqedonia

Advertisement

Shkup, 18 nëntor – Një shtetas i Maqedonisë, 33-vjeçar, i cili punonte në një hekurudhë pranë kryeqytetit kroat Zagreb, ka ndërruar jetë në një aksident të rëndë sot në mëngjes, raportuan mediat kroate.

Sipas informacioneve nga policia kroate, tragjedia ndodhi rreth orës 8:45 të mëngjesit në mbikalimin hekurudhor Sava-Jakushevec, në qytetin Miçevec, pranë Velika Goricës. Punëtori i ndjerë ishte pjesë e një kompanie të angazhuar në kryerjen e punimeve në infrastrukturën hekurudhore dhe kishte vendbanim të rregulluar në Kroaci.

Në kohën e aksidentit, një automjet hekurudhor mallrash i destinuar për mirëmbajtjen e infrastrukturës po lëvizte përgjatë shinave, i drejtuar nga një makinist treni 59-vjeçar. Për arsye që aktualisht nuk dihen, punëtori 33-vjeçar ra mbi shina dhe pësoi lëndime vdekjeprurëse.

Pasi u raportua aksidenti, u krye një inspektim nën udhëheqjen e një prokurori të Zyrës së Prokurorit Shtetëror Komunal në Novi Zagreb, me pjesëmarrjen e oficerëve të policisë, një inspektori të sigurisë në punë dhe një përfaqësuesi të Agjencisë për Hetimin e Aksidenteve në Transportin Ajror, Detar dhe Hekurudhor. Trupi i të ndjerit u transferua në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Kriminalistikës në Zagreb. Institucionet kompetente vazhdojnë të përcaktojnë shkaqet dhe rrethanat në të cilat ndodhi ngjarja tragjike.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit