Duke folur për pengesat në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe kompromiset kushtetuese e identitare të bëra nga vendi, Ademi tha se procesi i integrimit euroatlantik që nga pavarësia në vitin 1991 ka qenë veçanërisht i vështirë. Sipas tij, Maqedonia e Veriut ka treguar përkushtim të vazhdueshëm ndaj integrimit, por procesi është penguar edhe nga çështjet dypalëshe të ngritura nga shtete të caktuara anëtare të Unionit.
“Vendet kandidate pritet t’i përmbushin zotimet e tyre, dhe me të drejtë. Por edhe Bashkimi Evropian duhet t’i përmbushë zotimet e veta dhe të sigurojë që procesi të mbetet i parashikueshëm, i bazuar në meritë dhe i drejtë”, deklaroi Ademi.
Ai theksoi se vendi ka bërë tashmë kompromise të konsiderueshme dhe se përsëritja e kushteve pas çdo përmbushjeje të tyre rrezikon ta dobësojë besimin e qytetarëve në projektin evropian. Megjithatë, ambasadori tha se mbetet i bindur se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian, duke nënvizuar se zgjerimi nuk duhet të shihet si akt bamirësie, por si investim strategjik për një Evropë më të qëndrueshme dhe më të bashkuar.
Në lidhje me besueshmërinë e politikës së zgjerimit, Ademi vlerësoi se Bashkimi Evropian vazhdon të jetë një nga arritjet më të rëndësishme politike të kohës moderne, por se dinamika e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor është ndikuar jo vetëm nga reformat në vendet kandidate, por edhe nga zhvillimet e brendshme politike në Union dhe çështjet dypalëshe. Ai tha se kjo ka krijuar pasiguri dhe zhgënjim te qytetarët e rajonit, të cilët për vite me radhë kanë investuar shpresat e tyre në perspektivën evropiane.
Duke folur për marrëveshjen e Prespës, Ademi e cilësoi atë si një marrëveshje të veçantë, të dalë nga një kontest dypalësh që zgjati për gati tri dekada dhe përfshiu çështje të historisë, identitetit, politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Ai tha se marrëveshja, nga këndvështrimi i palës maqedonase, ruajti dhe afirmoi gjuhën, identitetin dhe kulturën maqedonase.
“Marrëveshja e Prespës, nga këndvështrimi im, e ruajti dhe e afirmoi gjuhën maqedonase, identitetin maqedonas dhe kulturën”, u shpreh Ademi, duke shtuar se kompromiset historike nuk mund të jenë të përsosura dhe se perceptimet për këtë marrëveshje vazhdojnë të dallojnë.
Një pjesë të intervistës ambasadori ia kushtoi edhe marrëdhënieve me diasporën, duke u mbështetur në përvojën e tij si ministri i parë përgjegjës për diasporën në Maqedoninë e Veriut. Ai e përshkroi diasporën si një urë lidhëse ndërmjet shoqërive, kulturave, ekonomive dhe ideve, duke theksuar se ajo nuk duhet të shihet vetëm përmes remitancave apo vizitave gjatë sezonit veror.
Ambasadori Ademi rikujtoi se në vitin 2018, në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin dhe institucionet vendore, ishte hartuar Strategjia e parë Kombëtare për Bashkëpunim me Diasporën, për periudhën 2019–2023. Ai përmendi edhe miratimin nga Qeveria, në vitin 2025, të strategjisë së re për periudhën 2025–2030, e cila synon forcimin e bashkëpunimit, nxitjen e investimeve, mbështetjen e iniciativave arsimore e kulturore dhe përfshirjen e gjeneratave të reja.
Sipas tij, lidhja emocionale me vendlindjen është e rëndësishme, por angazhimi afatgjatë i diasporës kërkon besim dhe partneritet me institucionet. “Njerëzit përfshihen kur ndihen të respektuar, të dëgjuar dhe të trajtuar si partnerë, e jo thjesht si burim i mbështetjes financiare apo interesit politik”, theksoi Ademi.
Në cilësinë e ambasadorit në Spanjë dhe përfaqësuesit të përhershëm pranë Organizatës Botërore të Turizmit të Kombeve të Bashkuara, Ademi foli edhe për mundësitë që turizmi ofron në diplomaci dhe në ndërtimin e marrëdhënieve ndërmjet popujve. Ai vlerësoi se turizmi krijon takime mes njerëzve, ndihmon në kapërcimin e stereotipeve dhe nxit mirëkuptimin ndërkulturor, ndonëse theksoi se parandalimi i konflikteve varet në fund të fundit nga udhëheqja politike.
Duke iu referuar përvojës së Spanjës, ai tha se ky vend përbën një shembull të rëndësishëm të zhvillimit të turizmit, por njëkohësisht përballet me sfida që lidhen me mbingarkesën turistike, çmimet e banesave dhe qëndrueshmërinë mjedisore. Sipas tij, suksesi në turizëm nuk duhet të matet vetëm me numrin e vizitorëve dhe të ardhurat, por edhe me ndikimin e tij në komunitetet lokale dhe cilësinë e jetës.
Ambasadori Ademi foli gjithashtu për pozitën e shteteve të vogla në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke theksuar se madhësia nuk e përcakton domosdoshmërisht ndikimin e një vendi. Për Maqedoninë e Veriut, ai tha se orientimi strategjik drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian ka qenë i qartë, ndërsa bashkëpunimi me partnerë të tjerë ndërkombëtarë duhet të vazhdojë mbi bazën e interesave kombëtare dhe prioriteteve strategjike.
“Autonomia strategjike nuk nënkupton izolim strategjik. Ajo nënkupton të kesh një kuptim të qartë të interesave të tua kombëtare, të mbetesh i përkushtuar ndaj vlerave dhe prioriteteve strategjike dhe të marrësh vendime mbi bazën e këtyre parimeve”, deklaroi ai.
Në intervistë u trajtuan edhe sfidat e diplomacisë në kohën e inteligjencës artificiale dhe rrjeteve sociale. Ademi vlerësoi se diplomacia mbetet një profesion thellësisht njerëzor, i ndërtuar mbi besimin, gjykimin, empatinë dhe aftësinë për të kuptuar edhe atë që nuk thuhet drejtpërdrejt. Ndërsa për rrjetet sociale tha se ato e kanë bërë diplomacinë më të dukshme, por jo domosdoshmërisht më pak me ndikim.
Në fund, ambasadori u ndal edhe te marrëdhëniet dypalëshe mes Maqedonisë së Veriut dhe Spanjës, të cilat i cilësoi në nivelin më të lartë deri më tani. Ai përmendi rritjen e komunikimit ndërmjet institucioneve të të dyja vendeve gjatë tri viteve të fundit, vizitat dhe aktivitetet në fusha të ndryshme, si dhe vendosjen e linjës së drejtpërdrejtë ajrore Shkup–Madrid, për herë të parë në 32 vitet e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve./OPEN- TV








