Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orçe Gjorgjievski, ka ndarë mirënjohjet e këtij viti për punonjësit më të mirë arsimorë në kryeqytet.
Në një ceremoni të organizuar në bashkëpunim me Shoqatën e Punonjësve Arsimorë të Qytetit të Shkupit, mirënjohjet iu ndanë edukatorëve, mësuesve dhe profesorëve nga kopshtet, shkollat fillore dhe të mesme, konviktet e nxënësve, si dhe shkollat për fëmijët me nevoja të veçanta arsimore.
Gjorgjievski theksoi rëndësinë e punës së punonjësve arsimorë, duke i cilësuar ata si njerëz që ndikojnë drejtpërdrejt në formimin dhe të ardhmen e fëmijëve.
Ai gjithashtu foli për investimet në shkollat e mesme të qytetit, përfshirë rinovimin e terreneve sportive, pajisjen e klasave me mobilie dhe teknologji të reja, uniformat falas për nxënësit e vitit të parë dhe laptopët për nxënësit më të mirë të gjeneratës.
Sipas Gjorgjievskit, vitin e ardhshëm parashihet ndërtimi i dy shkollave të reja të mesme, njëra në Draçevë dhe tjetra në Gjorçe Petrov.
Ai uroi të gjithë të shpërblyerit dhe falënderoi punonjësit arsimorë për kontributin e tyre në edukimin e brezave të rinj.
Orçe Gjorgjievski ndan mirënjohje për punonjësit më të mirë arsimorë në Shkup








