Qyteti i Shkupit ndërpret kontratën prej 10,1 milionë eurosh për rindërtimin e parkut argëtues “Luna Park”

Advertisement

Qyteti i Shkupit ka konfirmuar se ka ndërprerë kontratën për rindërtimin e parkut argëtues “Luna Park” me kompaninë “Mastef” SHPKNJP Shkup, të lidhur më 6 maj 2026, në vlerë prej 621.007.264 denarësh, përkatësisht rreth 10,1 milionë eurosh. Nga Qyteti bëjnë të ditur se kontrata është ndërprerë me marrëveshje të ndërsjellë, me qëllim shmangien e blerjes së dyfishtë të të njëjtave pajisje argëtuese.
“Sa u përket procedurave të prokurimit dhe ndërprerjes me marrëveshje të kontratës së lidhur pas tenderit të ri, Qyteti i Shkupit informon opinionin se bëhet fjalë për një vendim me të cilin shmanget blerja e dyfishtë e të njëjtave pajisje dhe sigurohet shpenzim i përgjegjshëm i mjeteve publike.
Pas ndërprerjes së kontratës së mëparshme për furnizimin me pajisje argëtuese, të lidhur gjatë mandatit të kryetarit të atëhershëm Koce Trajanovski, kompania kishte ngritur padi kundër Qytetit të Shkupit. Vendimi gjyqësor në favor të kompanisë, me të cilin Qyteti detyrohet të paguajë për pajisjet, ishte marrë pasi tashmë ishte nënshkruar kontrata nga tenderi i ri”, thuhet në kumtesë.
Nga Qyteti i Shkupit sqarojnë se, meqë furnizimi i ri përfshinte edhe pajisje të parapara në kontratën e mëparshme, është vendosur që kontrata e re të ndërpritet me marrëveshje. Në këtë mënyrë shmanget furnizimi i panevojshëm me pajisje të njëjta dhe ngarkesa shtesë mbi buxhetin e qytetit.
Sipas autoriteteve të qytetit, ky vendim nuk e ndryshon afatin për ndërtimin e parkut të ri argëtues “Luna Park”.
“Brenda një muaji do të fillojë montimi i shtatë pajisjeve argëtuese të blera sipas kontratës së mëparshme, paralelisht me rregullimin e hapësirës, për të krijuar kushtet që kjo pjesë e parkut të nisë me punë”, thuhet në njoftimin e Qytetit të Shkupit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit