Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka hedhur akuza për parregullsi gjatë realizimit të projektit të kanalizimit Livadhi-Bixhovë. Ai tha se kompania që ka realizuar punimet, Graniti, ka insistuar që komuna të nënshkruajë pranim-dorëzimin e të gjithë projektit, por një gjë e tillë është refuzuar.
Sipas Qyrës, komuna nuk ka bërë pranim-dorëzimin pasi fillimisht duhet të vlerësohen nga ekspertët dëmet dhe parregullsitë e mundshme gjatë realizimit të projektit.
Ai tha se janë evidentuar edhe probleme teknike, duke përmendur punime që, sipas tij, nuk janë realizuar në mënyrë standarde, përfshirë pusetat dhe pikat e derdhjes së ujërave të zeza.
Qyra paralajmëroi revizion të projektit, ndërsa tha se përgjegjësi duhet të mbajnë edhe ish-kryetarët e komunës, organet që kanë ndjekur realizimin e projektit, si dhe kompania që ka kryer punimet.
“Përgjegjësinë do ta shtrijmë atje ku ka ardhur ky dëm”, deklaroi Qyra./Ora24.tv






