Qeveria i dha dritë jeshile Projektligjit për Mbrojtjen nga duhani, i cili synon të forcojë mbrojtjen e shëndetit publik dhe të krijojë hapësira publike më të sigurta dhe më të shëndetshme, përcjell TV21. Nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur se ligji është hartuar pas konsultimeve me industrinë e duhanit, sektorin e hotelerisë, institucionet kompetente dhe me mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Kryeministri Mickoski deklaroi se pret që projektligji të miratohet sa më shpejt edhe në Kuvend. Sipas tij, ligji do të hyjë në fuqi menjëherë pas miratimit, ndërsa objektet hotelierike do të kenë një afat prej 12 muajsh për t’i përshtatur hapësirat sipas rregullave të reja. Me zgjidhjen e re ligjore përcaktohen kritere të qarta për përdorimin e duhanit në tarraca dhe ambiente të ngjashme, ndërsa parashikohen edhe kontrolle më të rrepta për zbatimin e dispozitave.





