Qamili për takimin e Grupit të punës: Provimi i Jurisprudencës përfundimisht do të jepet në shqip

 

Zv.kryetari i Komunës së Tetovës dhe zëdhënësi i VLEN-it Albi Qamili, në një debat në TV Shenja, tha se provimi i Jurisprudencës do të zgjidhet përfundimisht me ligj dhe kërkesa e studentëve do të çohet në vend.

Qamili tha se takimi i sotëm i Grupit të punës së provimit të Jurisprudencës me kryeministrin Hristijan Mickoski është për të finalizuar detajet e zgjidhjes ligjore për provimin e Jurisprudencës.

Qamili gjithashtu theksoi se në zgjidhjen ligjore janë paraparë disa parime, në mes tyre që edhe kjo zgjidhje ligjore të mbrohet nga Gjykata Kushtetuese.

“Pavarësisht detajeve të takimit, ajo që është me rëndësi është që provimi i Jurisprudencës do të jepet në gjuhën shqipe, pra kërkesa e studentëve do të çohet në vend. Ka dakordim mes VLEN-it dhe kryeministrit, takimi i sotëm në grupin e punës ka qenë për të finalizuar detajet”.

“Ajo që është me rëndësi është që provimi i Jurisprudencës është zgjidhur me ligj, e jo me zgjidhje gjysmake siç ka bërë oponenti ynë politik. Ne kemi vendosur edhe parime për këtë zgjidhje. Do të ketë zgjidhje ligjore dhe e njëjta do të jetë e mbrojtur nga Gjykata Kushtetuese, pra të mos vijë nesër që Gjykata Kushtetuese t’i kontestojë”, tha Qamili.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit