Në Shtëpinë e Kulturës në Kumanovë, mbrëmë u mbajt koncerti festiv me rastin e 81-vjetorit të themelimit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Bajram Shabani”, një prej bartësve të traditës dhe trashëgimisë kulturore shqiptare në vend, shkruanPortalb.mk.
Nën moton “Art, Kulturë, Traditë”, koncerti solli një program të pasur artistik me këngë dhe valle popullore shqiptare. Në skenë u paraqitën artistë të moshave nga 8 deri në 80 vjeç, duke dëshmuar vazhdimësinë e traditës dhe përcjelljen e vlerave kulturore nga njëri brez te tjetri.
Kryetari i Ansamblit “Bajram Shabani”, Driton Ramadani, për Portalb.mk tha se ky përvjetor u kurorëzua me një koncert të madh, i cili u ndoq nga një publik i shumtë në sallën e mbushur plot. Sipas tij, pjesëmarrja e artistëve të brezave të ndryshëm krijoi emocione të veçanta, si për interpretuesit, ashtu edhe për artdashësit e pranishëm.
Ramadani theksoi se një nga veçoritë e këtij koncerti ishte bashkëpunimi ndërmjet Ansamblit “Bajram Shabani” dhe Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Të dy institucionet kulturore u bashkuan në skenë për të prezantuar vlerat kombëtare përmes këngës dhe valles tradicionale.
Ai vlerësoi gjithashtu lidhjen e veçantë që Ansambli “Bajram Shabani” ka ndërtuar ndër vite me publikun kumanovar, duke theksuar se aktivitetet e tij përbëjnë një pjesë të rëndësishme të jetës kulturore të qytetit dhe gëzojnë mbështetje të vazhdueshme nga artdashësit.
Duke folur për aktivitetet e ardhshme, Ramadani bëri të ditur se gjatë nëntorit, muajit të festave kombëtare, ansambli ka pranuar disa ftesa për pjesëmarrje në organizime të ndryshme, por synon të përqendrohet më shumë në aktivitetet në Kumanovë. Ai paralajmëroi se pas një jave ansambli do të marrë pjesë në Festivalin “Oda e Rahovecit”.
Ramadani tha se ansambli ka edhe shumë plane për të ardhmen, por për realizimin e tyre nevojitet mbështetje më e madhe financiare nga institucionet. Sipas tij, sa më e madhe të jetë përkrahja institucionale, aq më shumë mundësi do të ketë ansambli për të zhvilluar aktivitete dhe për të promovuar folklorin shqiptar.
Ansambli “Bajram Shabani” që nga themelimi në vitin 1945 ka dhënë kontribut në ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e folklorit shqiptar. Përgjatë tetë dekadave, ansambli ka qenë një nga institucionet e rëndësishme të jetës kulturore në Kumanovë, duke përcjellë te brezat e rinj këngët, vallet dhe traditat shqiptare.
Koncerti jubilar u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Maqedonisë së Veriut.








