Punonjës me kontratë në vepër në Klinikën e Fëmijëve, pa paga dhe kontrata

Të punësuarit me kontratë në vepër, përfshirë stafin e mesëm mjekësor, administratën dhe personelin teknik në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve, prej katër muajsh nuk kanë marrë paga, ndërkohë që kontratat e tyre të punës tashmë kanë skaduar. Në redaksinë tonë kanë mbërritur ankesa se deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret nga Institucionet përgjegjëse për zgjidhjen e këtij problemi. Madje, atyre u është komunikuar se, nëse dëshirojnë, mund të vazhdojnë të punojnë edhe pa pagesë, me arsyetimin se nuk ka mjete financiare për paga.

Nga Klinika për Sëmundje të Fëmijëve konfirmojnë situatën por thonë se kjo kategori e të punësuarve do t’i marrin pagat e prapambetura. Ndërkohë, theksojnë se janë në pritje të vendimit nga Ministria e Financave për vazhdimin e kontratave të punës.

“Presim që Ministria e Financave t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës sonë për vazhdimin e pëlqimeve për kontratë në vepër për këta punonjës të cilët kanë eksperiencën për të ofruar shërbime cilësore për pacientët në Klinikën e fëmijëve”, thonë nga Klinika për Sëmundje të Fëmijëve

Nga Ministria e Financave nuk tregojnë nëse të njëjtëve do tu vazhdohet kontrata e punës.

“Theksojmë se Ministria e Financave, në lidhje me procedurën për vazhdimin e kontratave të punës tek shfrytëzuesit buxhetorë, vepron në përputhje me Ligjin për buxhete”, theksojnë nga Ministria e Financave

Një situatë e ngjashme me skadimin e kontratave për të punësuarit me kontratë në vepër në institucionet publike shëndetësore u paraqit edhe në fillim të këtij viti. Në atë periudhë, një numër i konsiderueshëm i punonjësve mbetën pa kontrata aktive dhe, rrjedhimisht, edhe pa paga./Alsat.mk.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit