16.4 C
Skopje
Monday, October 7, 2024

Pse duhet rilexuar sot Aristoteli

Që nga mesi i shekullit XVIII-të, bota perëndimore ka pasur mundësi të diskutojë publikisht mbi çështjet etike, pa iu referuar Krishterimit. Mendimi modern mbi moralin, që niset nga supozimi se perënditë nuk ekzistojnë, ose të paktën nuk ndërhyjnë, është në fillimet e veta.

Por grekët e lashtë dhe romakët, ndërtuan shkolla të fuqishme filozofike të mendimit etik për më shumë se një mijëvjeçar, nga agnostikët e parë të shpallur, si Protagora (shek. V P.E.S), tek mendimtarët e fundit paganë. Akademia e Platonit në Athinë, nuk u mbyll përfundimisht deri në vitin 529 E.S, nga perandori bizantin Justinian.

Kjo traditë e gjatë e filozofisë morale, është një trashëgimi e çmuar e qytetërimit të lashtë të Mesdheut. Ajo ka nxitur disa mendimtarë shekullarë bashkëkohorë, të ballafaquar me boshllëkun moral të krijuar pas rënies së Krishterimit që nga fundi i viteve 1960, të ringjallin shkollat e lashta të mendimit.

Më pak e njohur është receta e lumturisë (eudaimonia), e mbështetur nga Aristoteli. Në Liceun e tij në Athinë, ai zhvilloi një model për maksimizimin e lumturisë, që mund të zbatohej nga individë dhe shoqëri të tëra, dhe është ende i rëndësishëm sot.

Ajo u bë e njohur si “filozofia peripatetike”, pasi Aristoteli zhvilloi debate filozofike, teksa shëtiste në shoqërinë e me bashkëbiseduesit të tij. Parimi themelor i filozofisë peripatetike, është ky:qëllimi i jetës, është të maksimizojë lumturinë duke jetuar me virtyte, duke përmbushur potencialin tuaj si njeri, dhe duke u angazhuar me të tjerët – familjen, miqtë dhe bashkëqytetarët – në aktivitete me përfitime reciproke.

Njerëzit janë kafshë, dhe prandaj kënaqësia në përmbushjen e përgjegjshme të nevojave fizike (ngrënia, seksi), është një udhëzues për të jetuar mirë. Por, meqenëse njerëzit janë kafshë të avancuara, natyrisht që priren të jetojnë së bashku në komunitete të vendosura (poliset), ne jemi “kafshë politike” (zoa politika).

Njerëzit duhet të marrin përgjegjësinë për lumturinë e tyre pasi ‘Zoti’ është një entitet i largët, që mund të kontrollojë lëvizjen e gjithësisë, por s’ka asnjë interes për mirëqenien e njerëzve, dhe as ndonjë funksion providencial në shpërblimin e virtytit apo ndëshkimin e imoralitetit.

Megjithatë, imagjinimi i një jete më të mirë dhe më të lumtur, është i mundur pasi njerëzit kanë aftësi të lindura që u lejojnë atyre të promovojnë lulëzimin individual dhe kolektiv. Këto përfshijnë prirjet për të bërë pyetje rreth botës, për të menduar mbi veprimin dhe për të aktivizuar kujtimet e vetëdijshme.

Po çfarë donte të thoshte Aristoteli me “lumturi” ose eudaimonia ? Ai nuk besonte se ajo mund të arrihej nga akumulimi i gjërave të mira në jetë – duke përfshirë të mirat materiale, statusin apo të qënit një person publik – por ishte një gjendje e brendshme dhe private e mendjes. Megjithatë, as ai nuk besonte se ajo ishte një gjendje e vazhdueshme.

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lajmet e fundit