Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska – Davkovka, në Samitin e NATO-s që po mbahet në Hagë, ka kërkuar zhbllokim të procesit të zgjerimit, transmeton Portalb.mk.
“Duke llogaritur që thuajse gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian janë edhe anëtar të NATO-s, ajo kërkoi që ato do të mund të debllokojnë procesin e zgjerimit dhe të kryejnë mbrojtjen e Evropës, pasi integrimi evropian dhe euroatlantik i Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm çështje politike, por edhe imperativ gjeopolitik dhe i sigurisë”, njoftuan nga Presidenca e Maqedonisë së Veriut.
Ajo theksoi se NATO po përballet me një numër të madh kërcënimesh, ndërsa si zgjidhje mendon se është mbrojtja kolektive.
Sot (25 qershor) në deklaratën përfundimtare të 32 udhëheqësve në Samitin e NATO-s, u zotua se shtetet anëtare do të investojnë 5 përqind të Bruto Prodhimit të Brendshëm, mjete të dedikuara për mbrojtje dhe siguri deri në vitin 2035.
Ministri për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme në Maqedoninë e Veriut, Timço Mucunski, dje (24 qershor) në kuadër të Samitit të NATO-s ka vlerësuar se vetëm eurointegrimi i gjithë rajonit do të mundësojë stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Përndryshe, Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.