Antalia, 9 nëntor 2026
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, sot mori pjesë në Ditën e Shëndetësisë (Health Day) në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike COP31, në Antalia të Turqisë. Me këtë rast, ai mbajti fjalime në dy ngjarje të nivelit të lartë.
Në Tryezën e Rrumbullakët Ministrore, e cila u bashkëkryesua nga ministri i Shëndetësisë i Turqisë, Kemal Memishoglu, dhe kryetari i COP31, Murat Kurum, me pjesëmarrjen e drejtorit të përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, fjalime të rëndësishme mbajtën edhe ministri i Shëndetësisë i Brazilit, Alexandre Padilha, si dhe përfaqësuesja e Australisë.
Në Tryezën e Rrumbullakët, ministri Klekovski theksoi tri prioritete: përfshirjen e shëndetësisë në politikat klimatike; investimet në sisteme shëndetësore rezistente ndaj ndryshimeve klimatike; si dhe lehtësimin e qasjes në financim dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
-Ndryshimet klimatike nuk janë më vetëm një sfidë mjedisore, por një kërcënim gjithnjë e më i madh për shëndetin publik. Këtë vit, në Maqedoni, e përjetuam drejtpërdrejt këtë: ethet e Nilit Perëndimor shkaktuan më shumë raste sesa në pesëmbëdhjetë vitet e mëparshme së bashku. Strategjitë, në vetvete, nuk i mbrojnë njerëzit. Ajo që i mbron është zbatimi i tyre“, deklaroi ministri.
Në panelin e nivelit të lartë me temë „Ndihma humanitare dhe shëndetësia: integrimi në menaxhimin e krizave“, ministri Klekovski prezantoi përvojat e Maqedonisë.
Paneli u organizua nga Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Turqisë dhe Zyra Rajonale e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Evropën.
Ministri foli për forcimin e gatishmërisë së sistemit shëndetësor nëpërmjet Planit Kombëtar të Veprimit për Sigurinë Shëndetësore 2024–2030 dhe Planit të Veprimit për Mbrojtjen nga Valët e të Nxehtit 2025–2030.
-Gatishmëria kombëtare, në vetvete, nuk është e mjaftueshme kur krizat tejkalojnë kapacitetet e një shteti. Ndihma ndërkombëtare duhet të jetë në kohë, e bazuar në nevojat reale dhe e koordinuar me institucionet kombëtare, në mënyrë që të plotësojë kapacitetet vendore dhe jo t’i zëvendësojë ato, theksoi ministri Klekovski.Ai përshëndeti Iniciativën e Antalias për Rezistencën Shëndetësore.
Më vonë gjatë ditës, ministri Klekovski do të marrë pjesë edhe në panelin me temë „Mësime të mëdha nga kombet e vogla: lidershipi shëndetësor në një klimë në ndryshim“, të organizuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Paneli do të moderohet nga Katrín Jakobsdóttir, ish-kryeministre e Islandës dhe kryetare e Komisionit Pan-Evropian për Klimën dhe Shëndetin. Në këtë panel, ministri do të prezantojë përvojën e Maqedonisë në zbatimin e Planit të Veprimit për Mbrojtjen nga Valët e të Nxehtit.








