Presidenti i Emirateve nis vizitën shtetërore në Gjermani, priten marrëveshje me vlerë miliarda euro

Advertisement

Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan, pritet të mbërrijë sot në Gjermani për një vizitë shtetërore dyditore, me synim forcimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

Gjatë vizitës pritet të nënshkruhen disa marrëveshje me vlerë miliarda euro, ndërsa detajet e tyre ende nuk janë bërë publike.

Në fillim të vizitës, presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier do ta presë homologun e tij nga Emiratet me ceremoni zyrtare dhe nderime ushtarake në Villa Borsig, në Berlin. Pas ceremonisë, dy presidentët do të zhvillojnë bisedime.

Mohamed bin Zayed pritet të takohet gjithashtu me kancelarin gjerman Friedrich Merz gjatë pasdites. Dy liderët u takuan për herë të fundit gjatë vizitës së Merzit në Abu Dhabi, në shkurt.

Në mbrëmje, Steinmeier do të organizojë një darkë shtetërore në rezidencën e tij pranë lumit Shpre.

Gjermania dhe Emiratet synojnë të zgjerojnë bashkëpunimin në disa fusha, përfshirë ekonominë, mbrojtjen, industrinë e mbrojtjes, politikën e jashtme, energjinë dhe mbrojtjen e mjedisit.

Dy vendet pritet të thellojnë gjithashtu bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve kibernetike.

Në fushën e teknologjisë, palët po përgatisin një memorandum mirëkuptimi që do të përcaktojë fushat e bashkëpunimit, përfshirë zgjerimin e qendrave të të dhënave.

Sipas zyrtarëve emiratas, Gjermania do të kontribuojë me kapacitetet e saj industriale, ekspertizën teknologjike dhe shkencore, si dhe me kompanitë e saj konkurruese në tregjet ndërkombëtare.

Në këmbim, Emiratet ofrojnë kapital financiar, mundësi për investime afatgjata, lidhje ndërkombëtare dhe qasje në disa prej tregjeve me rritjen më të shpejtë në botë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit