Ministrat e Jashtëm të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, Velislava Petrova-Çamova dhe Timço Mucunski, pritet të zhvillojnë një takim bilateral në Sofje të enjten.
Sipas mediave bullgare, më 8 tetor Sofja do të jetë nikoqire e një konference ndërkombëtare ministrore kushtuar Korridorit 8.
Konferenca do të organizohet nga ministrja bullgare Petrova, ndërsa në të do të marrë pjesë edhe homologu i saj nga Maqedonia e Veriut, Timço Mucunski.
Në kuadër të forumit është paraparë edhe një takim bilateral mes dy ministrave, si pjesë e dialogut të vazhdueshëm mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi sot se Shkupi i ka dërguar Sofjes një notë zyrtare me kërkesë për takim bilateral, por deri tani nuk ka marrë përgjigje zyrtare.
Gjatë vizitës së saj në Shkup, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri thirrje për zhvillimin e një takimi në nivel të lartë mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Takimi i mundshëm në Sofje vjen në kuadër të përpjekjeve për vazhdimin e dialogut dypalësh dhe diskutimeve lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet mes dy vendeve dhe Korridorin 8.






