Një përplasje mes deputetit të VLEN-it, Bekim Qoku, dhe nënkryetarit të BDI-së, Arbër Ademi, është zhvilluar gjatë debatit në emisionin “N’Dritë” në Alsat, ku në fokus ishte roli i Ali Ahmetit lidhur me Gjykatën Speciale në Hagë dhe ish-krerët e UÇK-së.
Qoku ngriti pyetje përse Ali Ahmeti, sipas tij, nuk i kishte vizituar ish-krerët e UÇK-së gjatë periudhës së paraburgimit në Hagë. Ai gjithashtu pretendoi se Ahmeti kishte lobuar për themelimin e Gjykatës Speciale.
“Përse Ali Ahmeti nuk vizitoi as edhe një ditë gjatë paraburgimit ish-krerët e UÇK-së? Çka dëshmoi Ali Ahmeti në 72 orë në Hagë?”, deklaroi Qoku.
Ndaj këtyre deklaratave reagoi Arbër Ademi, i cili tha se Ahmeti kishte dëshmuar në Hagë në cilësinë e themeluesit të UÇK-së.
“Ali Ahmeti ka dëshmuar në Hagë si themelues i UÇK-së”, deklaroi Ademi.
Debati u ashpërsua edhe më tej kur Qoku akuzoi Ahmetin se kishte “bërë pazar në emër të UÇK-së”. Ademi e kundërshtoi këtë pretendim, duke deklaruar se askush nuk ka mundësi ta shantazhojë kryetarin e BDI-së.
“Nuk ka fuqi mbi tokë që mund ta shantazhojë Ali Ahmetin, një themelues të UÇK-së, një veprimtar si Ali Ahmeti”, tha Ademi.
Përplasja mes dy deputetëve u zhvillua në kuadër të debatit për Gjykatën Speciale dhe qëndrimet e subjekteve politike shqiptare ndaj proceseve gjyqësore në Hagë.






