Kryetarja e Unionit të Grave të VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva, ka kritikuar ashpër LSDM-në, duke e vlerësuar si të pamjaftueshëm kapacitetin e saj për drejtimin e shtetit.
E ftuar në emisionin “Analiza” në TV 24, Miteva foli për ekonominë, sundimin e ligjit dhe politikat e Qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE. Ajo tha se për përmirësimin e gjendjes në vend nevojiten strategji afatgjata dhe vazhdimësi në zbatimin e politikave ekonomike dhe institucionale.
Sipas Mitevës, Qeveria aktuale ka një plan për përmirësimin e standardit të jetesës dhe zhvillimin ekonomik, ndërsa ajo pretendoi se qeverisja e mëparshme ka lënë pas probleme që, sipas saj, kërkojnë zgjidhje afatgjata.
“Kapaciteti i drejtimit të LSDM-së në kuadër të Qeverisë është i barabartë me zero”, deklaroi Miteva, duke akuzuar partinë opozitare se nuk ka pasur, sipas saj, aftësinë dhe interesin e nevojshëm për të menaxhuar institucionet.
Ajo tha gjithashtu se synimi i Qeverisë është që deri në vitin 2030 të përmirësohet ndjeshëm gjendja ekonomike dhe standardi i jetesës, duke përmendur investimet infrastrukturore, politikat arsimore dhe luftën kundër korrupsionit.






