Republika e Kosovës pas pesë vitesh ka rikthyer marrëdhëniet diplomatike me Republikën e Palaut, ndërsa ambasador jorezident i Kosovës në këtë shtet është emëruar Sabri Kiçmari.
Njoftimin për rikthimin e marrëdhëniet diplomatike me shtetin e Palaut e ka konfirmuar në Facebook, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, i cili edhe publikon një foto të ambasadorit Kriçmari duke i dorëzuar letrat kredenciale, presidentit të këtij shteti, Surangel S. Whipps, Jr.
Edhe vet Kiçmari ka shkruar në Facebook për kredencialet.
Ndërsa gjatë ceremonisë zyrtare të dorëzimit të kredencialeve, ambasadori Kiçmari ka përcjell mesazhe miqësie dhe bashkëpunimi në emër të Republikës së Kosovës, duke theksuar siç thuhet në njoftim, “vlerat e përbashkëta të paqes, respektimit të të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës, që bashkojnë, përkundër distancës gjeografike”.
Presidenti Whipps Jr, thuhet se ka pritur me nderim ambasadorin Kiçmari dhe ka shprehur mbështetjen e Qeverisë dhe popullit të Republikës së Palaut për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në fusha të interesit të përbashkët.
Në ceremoninë solemne të dorëzimit të kredencialeve kanë marrë pjesë personalitete të dalluara, përfshirë J.Uduch Sengebau Senior, zëvendëspresidentja e Palaut, dhe Gustav Aitaro, ministër i Shtetit për Çështje të Jashtme, së bashku me anëtarë të tjerë të qeverisë dhe parlamentit të Palaut.
“Kjo ngjarje shënon një kapitulli të ri në marrëdhëniet tona diplomatike, që reflekton përkushtimin tonë të përbashkët ndaj bashkëpunimit, mirëkuptimit, demokracisë dhe paqes”, ka shkruar ambasadori Kiçmari.
Republika e Palaut është një shtet që ndodhet në Oqeanin Paqësor, rreth 500 km në lindje të Filipineve.