Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është betuar si deputete në legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës, pas përfundimit të mandatit të saj si presidente e vendit.
Pas betimit, Osmani reagoi përmes një deklarate, duke theksuar se rikthimi në Kuvend përfaqëson kthimin te institucioni nga ku buron mandati i përfaqësuesve të zgjedhur dhe përgjegjësia për t’u shërbyer qytetarëve.
Sipas saj, Kuvendi mbetet “tempulli i demokracisë” dhe vendi ku përfaqësohet vullneti i qytetarëve.
“Po rikthehemi aty ku çdo mandat e ka burimin: te tempulli i demokracisë dhe i qytetarëve dhe te përgjegjësia për t’i shërbyer Republikës”, është shprehur Osmani.
Ajo shtoi se betimi si deputete shënon vazhdimin e angazhimit të saj në shërbim të Kosovës dhe qytetarëve.
“Betimi i sotëm është vazhdim i të njëjtit zotim: për t’i shërbyer Kosovës dhe të gjithë qytetarëve tanë me dinjitet, guxim dhe përkushtim”, deklaroi Vjosa Osmani.






