20.8 C
Skopje
Sunday, September 15, 2024

Paralajmërohet marrja e kompetencave për shkollën “Njegosh” të Idrizovës

Nga java që vjen, 13 fëmijët shqiptarë të Idrizovës që akoma nuk kanë nisur vitin shkollor do të mësojnë në një nga shkollat e Komunës së Çairit deri në hapjen e paraleles shqipe për klasën e gjashtë në shkollën fillore “Njegosh” të komunës Gazi Babë. Këtë vendim e bëri të ditur ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri pas takimit me prindërit dhe nxënësit e Idrizovës madje duke shtuar se ka nisur procedurën e marrjes së kompetencave për shkollën “Njegosh”.

“Unë marr kompetencat për shkollën konkrete plotësisht. Edhe nga arsyet e emërimit të drejtorit edhe në arsyet e transferit të pagave dhe çdo lloj mekanizmi tjetër që mund ta ketë komuna që ta bllokoj shkollën. Në emërim drejtori dhe të gjitha kompetencat juridike ligjore që burojnë nga drejtori”, deklaroi Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit.

Gjatë ditës, prindërit bashkë me fëmijët tentuan të hyjnë në objektin e shkollës “Njegosh” për të dëshmuar se ka hapësirë të mjaftueshme për zhvillimin e procesit mësimor edhe për paralelen shqipe për klasën e gjashtë.

“Për maqedonisht ka vend, për shqip nuk ka vend. Kjo është definitivisht diskriminim dhe nacionalizëm i madh që u bëhet fëmijëve në shekullin 21, vitin 2023”, tha një prind.

“Bisedova me drejtoreshen, tha mundeni me hy lirisht por në gjuhën maqedonase më mësu fëmijët..Po sa erdhëm ne këtu dera ishte e mbyllur, faktikisht edhe në gjuhën maqedonase nuk jemi të mirëseardhur në këtë shkollë.. Politikën anash, anash prej fëmijëve tanë. Politikë tjetër kund, të fëmijët nuk ka politikë”, u shpreh një prind.

“Objekti shkollor nuk është pronë private e askujt por është objekt shtetëror që e financon shteti edhe me taksat e shqiptarëve që jepen në buxhet”, citoi një prind.

“Pavarësisht shqip ose maqedonisht është turp derën me na e mbyll. Kur të vjen koha për vota nuk kemi më, na falni, kaq nga ne”, deklaroi një prind.

Drejtoresha e shkollës “Njegosh” nuk pranoi të flas para kamerave. Përmes telefonit tha se nxënësit nuk u lejuan në shkollë për shkak ndërrimi i tyre ishte nga ora 7 e 30 e mëngjesit dhe jo në 12. /Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lajmet e fundit