17.8 C
Skopje
Sunday, May 19, 2024

Paralajmërohet korrigjim i pagave të zyrtarëve

Në periudhën kur Ligji për tatimin solidar ka mbetur pezull nëse shfuqizohet nga Gjykata Kushtetuese, një dozë solidariteti pritet të vijë nga funksionarët e shtetit. Autoritetet paralajmërojnë se pagat e të zgjedhurve dhe të emëruarve do të korrigjohen me zgjidhje ligjore. Pasi morën paga me 78% rritje për 7 muaj mbi 1060 funksionarë të shtetit, resori për çështje ekonomike në ekzekutiv ka përgatitur një propozim ligj për ndryshimin e tyre. Se sa do të jetë ulja e pagave akoma nuk dihet. Fatmir Bytyqi tha se në situata të krizës ekonomike edhe funksionarët duhet të solidarizohen.

“Kemi marrë detyrë nga Qeveria që të formojmë një grup pune për Ligjin për Pagat e Zyrtarëve nga disa ministra, i cili duhet të punojë për një ligj të ri për personat e zgjedhur dhe të emëruar, në mënyrë që të bëhet një zgjidhje më e drejtë dhe të lirohet një pjesë e fondeve. Është vendimtare që në periudha të caktuara kohore duhet të solidarizohemi”, tha Fatmir Bytyqi, Zëvendëskryeministër për çështje ekonomike.

Meqë janë në pikëpyetje fondet nga tatimi solidar, përkatësisht rreth 90 milion euro nga kompanitë që realizuan ekstra profit, paratë e kursyera nga pagat e shkurtuara të funksionarëve pritet të destinohen për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve përmes pakos së re të masave kundër krizës. Deri më tani mbi 9,1 milion euro shtesë janë thithur vetëm nga rritja e pagave prej 78%, kurse në nivel vjetor taksapaguesve do tu privohen 15 milion euro nga këto rritje. Këto shifra janë skandaloze sipas ekspertëve. Profesori universitar Sami Bislimi, tha se pagat e tyre duhet të rriten njësoj si të administratës publike.

“Si është e mundur në kushte të këtilla të deficitit buxhetor, kur ekonomia e vendit ka një rritje minimale të rriten pagat e funksionarëve 78%! Ky është një amoralitet dhe një skajshmëri pakujdesie për gjendjen ekonomike të vendit, kushtet ekonomike të qytetarëve dhe një ndasi shumë e madhe me klasën punëtore”, tha Sami Bislimi, Profesor universitar.

Pagat e funksionarëve u rritën pasi Gjykata Kushtetuese vendosi të shfuqizoj një nen më 21 mars. Që nga muaji prill bazë për llogaritje u bë paga mesatare në vend dhe me këtë metodologji nga janari i vitit të ardhshëm pagat e ministrave, deputetëve, kryetarëve të komunave, gjyqtarëve, prokurorëve e të tjerë do të rriteshin nga 300 deri në 500 euro. Ndërkaq, nga shtatori rritja e pensioneve u bë 5,3% kurse rritja e pagave në sektorin publik u bë 10%. Nëse ky ligj nuk miratohet sa më shpejtë, sindikalistët paralajmërojnë radikalizmi të protestave dhe grevë të përgjithshme në vend. /Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

EVN

Lajmet e fundit