Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergei Lavrov, ka kërkuar që të marrë pjesë në Këshillin Ministror të Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), që mbahet në fund të nëntorit në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
Shkupi është duke kryesuar OSBE-në.
Kërkesën për pjesëmarrje të kryediplomatit rus e konfirmoi më 6 nëntor shefi i diplomacisë maqedonase, Bujar Osmani, i cili tha se ka marrë një letër nga ministri i Jashtëm i Rusisë, përmes së cilës Lavrov ka paraqitur kërkesën për pjesëmarrje në takimin e Këshillit Ministror të OSBE-së.
“Kam marrë një letër para disa ditësh nga ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë në të cilën ai ka theksuar kërkesën për të siguruar praninë e tij në Shkup. Ka disa sfida rreth kësaj kërkese, sepse hapësira ajrore e Maqedonisë së Veriut dhe fqinjëve tanë është e mbyllur për fluturimet shtetërore ruse, prandaj këtu duhet të bëhen disa përpjekje logjistike… Ndryshe, si rregull, të gjitha vendet anëtare duhet të marrin pjesë në këtë Këshill të OSBE-së, por kjo do të varet nga vendimet që do të merren në ditët në vijim. Shpresoj që të gjithë të arrijmë të jemi në Shkup”, tha Osmani.