Shkupi po thellon bashkëpunimin kulturor me Francën në kuadër të përgatitjeve për vitin 2028, kur kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut do të mbajë titullin Kryeqyteti Evropian i Kulturës.
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, së bashku me ambasadorin francez, Kristof Le Rigoler, drejtorin e Institutit Francez në Shkup, Gregoar Zhislër, dhe drejtorin e Fondacionit „Shkupi EPK 2028“, Marjan Cvetkovski, shënuan fillimin e një partneriteti strategjik përmes nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Fondacionit dhe Institutit Francez.
Partneriteti synon të mundësojë realizimin e projekteve të përbashkëta artistike, shkëmbimin e artistëve dhe ekspertëve, si dhe zhvillimin e industrive kulturore dhe kreative. Qëllimi është që artistët nga Shkupi të krijojnë lidhje më të forta me skenën evropiane, ndërsa qytetarët të kenë qasje në përmbajtje të reja dhe cilësore kulturore.
Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet bashkëpunimit me qytetin francez të Burzhit, me të cilin Shkupi do ta ndajë titullin e Kryeqytetit Evropian të Kulturës në vitin 2028. Në kuadër të bashkëpunimit është paraparë edhe mundësia e organizimit të „Sezonit francez në Shkup 2028“.
Gjorgjievski theksoi se suksesi i projektit Shkupi 2028 do të matet edhe përmes mundësive që do t’u krijohen të rinjve, mbështetjes për artistët dhe qasjes së qytetarëve në aktivitetet kulturore.
Sipas tij, synimi është që titulli i Kryeqytetit Evropian të Kulturës të lërë gjurmë afatgjata në zhvillimin e qytetit dhe të krijojë ura bashkëpunimi mes artistëve dhe kulturave të ndryshme.
Me këtë partneritet, Shkupi synon të forcojë praninë e tij në skenën kulturore evropiane dhe të shfrytëzojë titullin e vitit 2028 për të promovuar identitetin, kreativitetin dhe potencialin e tij kulturor.








