Orce Gjorgjievski: “Estakada” po asfaltohet natën, për të shmangur kaosin në komunikacion

Advertisement

Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, ka njoftuar për asfaltimin gjatë natës të urës “Estakada” në Gazi Babë, një nga lidhjet e rëndësishme të komunikacionit në këtë pjesë të kryeqytetit.

Sipas Gjorgjievskit, punimet po zhvillohen në orët e natës me qëllim që të ulen bllokimet dhe kolonat gjatë ditës.

Sanimi përfshin rampat hyrëse në një sipërfaqe prej 10 mijë metrash katrorë, ndërsa deri tani janë përpunuar 3.800 metra katrorë me gërryerje dhe vendosjen e dy shtresave të reja të asfaltit. Në vetë urën po vendoset shtresë e re asfalti.

Në kuadër të projektit po sanohet një gjatësi totale prej rreth 1.5 kilometrash. Punimet përfshijnë edhe vendosjen e bordurave dhe trotuareve të reja, lyerjen e gardhit mbrojtës për këmbësorë dhe vendosjen e kapakëve të rinj të pusetave.

Gjorgjievski ka deklaruar se asfaltimi gjatë natës do të praktikohet edhe në lokacione të tjera ku kushtet e lejojnë, në mënyrë që punimet infrastrukturore të kenë sa më pak ndikim në qarkullimin ditor.

“Estakada” është një nga daljet më të frekuentuara të Shkupit, ndërsa sanimi synon përmirësimin e sigurisë dhe qarkullimit për qytetarët.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit