Nota mesatare nga dhënia e maturës në qershor është 3,66 nga të gjitha tre llojet e maturës. Dy muaj pas dhënies së të parit nga dy provimet eksterne, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska dhe drejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Daniella Jovçevska – Mihajllovska në konferencën për media sot i kumtuan rezultatet të cilat janë përfundimtare dhe pas ankesave të parashtruara dhe të shqyrtuara.
Risi këtë vit ishte që maturantët dhanë tre lloje të provimeve të maturës – maturën shtetërore, maturën shtetërore profesionale dhe maturën shtetërore artistike.
Nota mesatare për maturën shtetërore është 3,62, për atë profesionale 3,91 dhe për artistike 3,59. Ministrja Janevska deklaroi se është e kënaqur nga mesatarja e cila gati se është ruajtur nga viti i kaluar, kur ishte 3,69, për dallim, tha, nga viti 2024 kur ishte 3,26.
“Vlerësoj se këto janë rezultate objektive për shkak të përgatitjes së të gjithë të përfshirëve në organizimin e maturës”, tha Janevska.
Më shumë se 14 500 nxënës të cilët përfunduan arsimin e mesëm në vitin shkollor 2025/2026 ishin regjistruar për dhënie të provimeve eksterne (i obligueshmi gjuha amtare dhe edhe një lëndë nga ato që ishin ofruar për zgjedhje) nga matura në sesionin e provimeve në qershor. Testet i dhanë më 6 dhe 11 gjegjësisht 12 qershor.
Nga gjithsej 14 587 nxënës të regjistruar për dhënien e maturës, 12 184 ishin regjistruar që të japin maturë shtetërore, 2276 nxënës për maturë shtetërore profesionale dhe 127 të regjistruar për maturë shtetërore artistike. Në dhënien e provimit nuk kishin ardhur 348 të regjistruar ose 2,39 për qind.
Gjimnazistët dhanë vetëm maturë shtetërore, të cilën, gjithashtu, sipas konceptit të ri, mundën ta jepnin edhe nxënësit nga shkollat profesionale dhe artistike, të cilët zgjodhën ndërmjet maturës shtetërore dhe maturës profesionale gjegjësisht maturës artistike.
Për maturën shtetërore, jepej një provim në një gjuhë të huaj (anglisht, frengjisht, gjermanisht, rusisht ose italisht) ose matematikë. Maturantët që merrnin maturën shtetërore profesionale kishin një provim në anglisht ose matematikë, ndërsa për maturën shtetërore artistike, zgjedhja ishte midis anglishtes dhe historisë. Ashtu si në vitet e kaluara, provimi ekstern më i shpeshtë që jepej ishte anglishtja (13 208). Katër gjuhët e tjera të huaja ishin opsion vetëm për nxënësit që jepnin maturën shtetërore.
Për çdo provim (lëndë) të llojeve të maturës ishin përgatitur programe të veçanta për provime në bazë të të cilave ishin përgatitur pyetjet e provimeve, ndërsa bazoheshin në programet mësimore për të cilat nxënësit ndiqnin mësim gjatë arsimit të tyre katërvjeçar.






