Mickoski: Është mohuar fushata sipërfaqësore e opozitës

Advertisement

Kryeministri Hristijan Mickoski beson se opozita është e zhgënjyer sepse Maqedonia është shumë më mirë në aspektin e fuqisë blerëse sesa disa vende të BE-së dhe të gjitha vendet e rajonit, por edhe sepse po shënon rezultate të dukshme në turizëm.

“Për fuqinë blerëse nga opozita pati mesazhe të caktuara, por edhe nga disa media që ndajnë të njëjtin mendim me opozitën. U zhvillua një fushatë sipërfaqësore që më vonë u hodh poshtë dhe ata përsëri do të pendohen dhe do të zhgënjehen sepse Maqedonia nuk është më e dobëta, por është shumë më e mirë se disa vende të BE-së dhe të gjitha vendet në rajon”, tha Mickoski sot, duke i’u përgjigjur pyetjes së gazetarëve para nënshkrimit të marrëveshjeve për financimin e ndërtimit të segmentit hekurudhor Kriva Pallankë – Deve Bair të Korridorit 8.

Siç theksoi, nëse krahasohen shifrat e tre ose katër viteve më parë, mund të vihet re përparim i konsiderueshëm.

“A është kjo e mjaftueshme? Nuk është. Do të vazhdojmë të punojmë për edhe më mirë dhe më shumë. Jemi të motivuar si asnjëherë. Ata do të vazhdojnë të krijojnë histeri bazuar në konstruksione dhe gënjeshtra, ndërsa ne do të përveshim mëngët siç kemi bërë për 25 muajt e fundit dhe do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për vendin dhe qytetarët”, potencoi kryeministri.

Lidhur me shifrat e turizmit, kujtoi se rezultatet janë të dukshme. Dhe kjo, theksoi Mickoski, është lajm i keq për opozitën.

“Të dhënat për numrin e turistëve dhe qëndrimet me bujtje publikohen pas datës 10 të muajit, atëherë do të kemi një pamje më të qartë, por të dhënat që ka transmetuar operatori i dy aeroporteve ndërkombëtare, si dhe Ministria e Transportit janë inkurajuese, se dy aeroportet janë më të shpejtat në rajon për sa i përket numrit të udhëtarëve, dhe këtë e potencon edhe Banka botërore. Ky është një lajm i keq për opozitën dhe nihilistët që e shohin shtetin si në dështim, por është një lajm i mirë për qytetarët dhe për të gjithë ata që mendojnë mirë për vendin, sepse ajo për të cilën kemi punuar prej 25 muajsh po konsolidohet ngadalë dhe po tregon shenja domethënëse dhe qëndrueshmërie ndaj të gjitha krizave, dhe rezultatet po bëhen gjithnjë e më të dukshme”, tha kryeministri.

Ai shtoi se numri i fluturimeve dhe udhëtarëve në shtatë muajt e parë nuk është rritur me 1, 2 ose 3 për qind, por me 20, 30, 40 për qind.

“Kjo paraqet diçka të rëndësishme që na motivon të vazhdojmë në atë drejtim. Turizmi është një nga prioritetet e Qeverisë dhe mund të shihni se çfarë po ndodh këto javë në të gjithë Maqedoninë”, tha Mickoski.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit