Ka nisur rikonstruksioni i rrugës që çon drejt Klinikës Universitare për Sëmundjet Respiratore te Fëmijët “Kozle” në Shkup, e cila prej kohësh ishte në gjendje të rënduar.
Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, bëri të ditur se punimet po realizohen në bashkëpunim me Komunën e Karposhit. Sipas tij, krahas rikonstruksionit të plotë të rrugës, po ndërtohet edhe një mur i ri mbështetës.
“Ky është një aks rrugor shumë i frekuentuar. Muri mbështetës dhe rruga ishin në gjendje shumë të keqe. Tani po ndërtohet një mur i ri dhe po bëhet rikonstruksioni i plotë i rrugës”, deklaroi Gjorgjievski.
Ai tha se përfundimi i punimeve pritet deri në fund të vitit, ndërsa gjatë periudhës së punimeve qytetarët mund të përdorin rrugë alternative.
Gjendja e rrugës prej rreth 500 metrash ishte kritikuar vazhdimisht nga prindërit që sjellin fëmijët për trajtim, si dhe nga taksitë dhe drejtuesit e automjeteve.
Në Klinikën “Kozle” kontrollohen rreth 100 fëmijë në ditë nga e gjithë Maqedonia e Veriut, ndërsa qytetarët shprehen se ndërhyrja në këtë aks rrugor ishte e nevojshme. Rezultatet, thonë ata, do të mund të vlerësohen pas përfundimit të punimeve.






