Nikolloski paraqiti problemet e transportuesve, kërkoi të lobojnë tek autoritetet e tyre

Advertisement

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, duke theksuar edhe një herë problemin e transportuesve, shpreson se Gjermania por edhe vendet e tjera anëtare të zonës Shengen do të ndjekin shembullin e Zvicrës dhe Kroacisë në lidhjen e marrëveshjeve dypalëshe. Ai u bëri thirrje anëtarëve të Shoqatës së biznesit Maqedoni-Gjermani për veprim të përbashkët me qëllim që sa më shpejt të hiqet barriera me viza dhe qëndrime për transportuesit.

Nikolloski ka thënë se për 11 muaj, transportuesit kanë probleme serioze me sistemin e ri “dalje-hyrje” dhe se shumica e vendeve të Shengenit i trajtojnë të gjithë si turistë.

Megjithatë, sipas tij, negociatat për një zgjidhje me disa vende të tjera janë në një fazë të avancuar. Sllovenia, Gjermania, Austria dhe Hungaria janë disa nga vendet me të cilat duhet të lidhen marrëveshje dypalëshe.

“Mund të flasim shumë për investime, të shkëmbejmë mendime, por në fund të fundit, nëse mallrat që prodhohen këtu dhe në të gjithë rajonin nuk mund të arrijnë destinacionin e tyre përfundimtar, atëherë gjithçka është e kotë. Po hyjmë në muajin e 11-të që transportuesit tanë kanë probleme serioze me sistemin e ri ‘dalje-hyrje’ që është futur. Megjithatë, në shumicën e vendeve anëtare të zonës Shengen, përfshirë për fat të keq, Gjermaninë i trajtojnë të gjithë si turistë, gjë që është larg realitetit dhe nuk mund të qëndrojnë më shumë se 90 ditë brenda 180 ditëve. Në këto 11 muaj, kemi qenë në komunikim intensiv me Komisionin Evropian dhe këtu duhet të ndaj dy përvoja. Njëra është pozitive dhe e dyta është e rezervuar. Sa i përket asaj pozitive është mirë që në shkurt Komisioni Evropian doli me strategjinë e re të vizave me të cilën shoferët njihen si profesionistë, njësoj si pilotët dhe makinistët e trenave. Ajo rezerv për fat të keq, që atëherë nuk është ndërmarrë asnjë hap i madh në nivelin e zonës Shengen për ta zbatuar këtë”, ka thënë Nikolloski në fjalimin e tij në takimin e organizuar nga Shoqata e biznesit Maqedoni-Gjermani në Shkup.

Ai edhe një herë vuri në dukje rëndësinë e transportit rrugor i cili, tha se është ende dominues.

“Kur e kuptuam që nuk po ndërmerren hapa të përbashkët, vendosëm të bashkëpunojmë në rrafsh bilateral dhe tashmë kemi disa shembuj pozitivë. Zvicra tashmë lëshon viza dypalëshe që zgjidh problemin e njerëzve që udhëtojnë në Zvicër. Kroacia gjithashtu filloi lëshimin e vizave dypalëshe. Jemi në një fazë të avancuar me disa vende të tjera. Shpresoj që këtë do ta bëjë edhe Gjermania dhe kështu do të mund ta zgjidhim këtë problem. Për të qenë në gjendje të përdorin në aspekt dominant trafikun rrugor, ata që kryejnë transportin duhet të jenë në gjendje të arrijnë destinacionin e tyre përfundimtar dhe të jenë në gjendje të kthehen në shtëpi. Këtu është një kërkesë, le të punojmë të gjithë së bashku për të hequr këtë pengesë. Projektet për të cilat po flasim për hekurudhën do të realizohen në tre deri në shtatë vitet e ardhshme. Pra, na duhen tre deri në shtatë vjet që këto rrugë të bëhen funksionale. Në ndërkohë, trafiku rrugor do të shfrytëzohet kryesisht”, nënvizoi Nikolloski.

Ministri dje në forumin e biznesit në Shkup të organizuar nga “Svis Çem”, apeloi se zgjidhja e problemit të transportuesve është me rëndësi të jashtëzakonshme.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit