Kuvendi i Maqedonisë së Veriut dhe Gjykata Administrative do të thellojnë bashkëpunimin përmes digjitalizimit të proceseve gjyqësore dhe shkëmbimit elektronik të të dhënave.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, dhe u.d. kryetari i Gjykatës Administrative, Burim Sejdini, nënshkruan të mërkurën Memorandumin e Bashkëpunimit, i cili parasheh lidhjen digjitale të dy institucioneve përmes platformës softuerike EPUS.
Qëllimi i memorandumit është të krijojë një kornizë për bashkëpunim më efikas institucional, duke lehtësuar komunikimin dhe shkëmbimin e dokumenteve në procedurat administrative dhe gjyqësore.
Lidhja digjitale do të përfshijë një sërë procesesh, përfshirë parashtrimin e padive, dorëzimin e përgjigjeve dhe ankesave, shkëmbimin e ftesave, vendimeve gjyqësore dhe dokumenteve të tjera që lidhen me lëndët.
Sipas memorandumit, digjitalizimi pritet të përshpejtojë procedurat, të lehtësojë punën e institucioneve dhe të kontribuojë në ushtrimin më efikas të të drejtave të personave fizikë dhe juridikë.
Palët nënshkruese janë zotuar gjithashtu për zbatimin e standardeve të larta të sigurisë dhe ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënave që do të shkëmbehen në kuadër të këtij bashkëpunimi.
Memorandumi do t’i nënshtrohet analizës së vazhdueshme nga të dy institucionet, me mundësi ndryshimesh të mëtejshme për avancimin e bashkëpunimit.








