Ndryshon sërish lista për gjyqtarin e RMV-së në Strasburg

Advertisement

Paneli këshillues i ekspertëve pranë Këshillit të Evropës ka vlerësuar se kandidatja Ana Dangova Hug nuk i plotëson në tërësi kriteret për gjyqtare në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ).

Për këtë arsye, Komisioni maqedonas ka vendosur që në listën e kandidatëve të propozojë avokaten Jelena Ristiç në vend të Dangovës.

Lajmin për Telma e ka konfirmuar kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe njëkohësisht kryetari i Komisionit për përzgjedhjen e kandidatëve, Darko Kostadinovski.

“Pas marrjes së njoftimit nga Ministria e Punëve të Jashtme se paneli i ekspertëve kishte vlerësuar se kandidatja e tretë e propozuar, avokatja Dangova, nuk i plotëson në tërësi kriteret e Këshillit të Evropës për gjyqtare në GJEDNJ, Komisioni mbajti takim më 20 gusht dhe njëzëri vendosi që avokatja Ristiç të jetë kandidatja e re”, deklaroi Kostadinovski.

Procedura për përzgjedhjen e gjyqtarit nga Maqedonia e Veriut në GJEDNJ ka nisur rreth një vit e gjysmë më parë dhe është shoqëruar me disa ndryshime të listës së kandidatëve.

Komisioni i parë kishte propozuar gjyqtaren Gabriela Gajdova, prokuroren Lençe Ristovska dhe avokatin Jordan Apostollski, por Qeveria e anuloi listën para se ajo të dërgohej në Këshillin e Evropës.

Më pas u formua një komision i ri, i kryesuar nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese, i cili propozoi Apostollskin, Natasha Boshkovën dhe Sasho Georgievskin.

Në maj, në vend të Apostollskit u propozua Ana Dangova Hug, ndërsa tani ajo është zëvendësuar nga Jelena Ristiç.

Kostadinovski pranoi se procedura është zgjatur më shumë se sa ishte parashikuar dhe shprehu shpresën se zgjedhja e gjyqtarit do të përfundojë në sesionin e tetorit të Këshillit të Evropës ose, nëse kjo nuk ndodh, në janar.

Ndërkohë, gjyqtari Jovan Ilievski, i cili duhej të largohej nga Strasburgu në fillim të këtij viti, do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjen e pasuesit të tij.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit