Një bombë e Luftës së Dytë Botërore, me peshë rreth 100 kilogramë, është gjetur në një kanal në Berlin, duke detyruar autoritetet të evakuojnë rreth 5,600 banesa.
Bomba është zbuluar në zonën e Neukölln, ndërsa policia ka vendosur një perimetër sigurie prej rreth 500 metrash dhe ka nisur evakuimin e banorëve.
Brenda zonës së rrezikut ndodhen edhe një qendër për të moshuar, një strehë për personat e pastrehë dhe një qendër kujdesi ditor.
Ekspertët kanë nxjerrë bombën nga uji dhe po përgatiten ta transportojnë në breg me ndihmën e një vinçi. Pas kësaj, specialistët do të kryejnë procedurën për neutralizimin e saj.
Operacioni pritet të zgjasë disa orë. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të mos afrohen në zonën e rrezikut dhe të respektojnë udhëzimet e sigurisë.






