Ka ndërruar jetë aktori i njohur i teatrit dhe kinematografisë, Jashar Shahiqi. Lajmin e ka bërë të ditur Teatri i Gjilanit, i cili ka shprehur ngushëllime për familjen, kolegët dhe miqtë e aktorit.
Jashar Shahiqi u lind më 17 mars 1954 dhe ishte një nga figurat e rëndësishme të skenës teatrore të Gjilanit dhe më gjerë. Në vitin 1977 përfundoi studimet në Degën e Artit Dramatik të Universitetit të Prishtinës, në klasën e profesorit Faruk Begolli.
Gjatë gjithë karrierës së tij si aktor profesionist, Shahiqi i shërbeu skenës me përkushtim dhe dashuri për artin. Ai u vlerësua për interpretimet e tij dhe për aftësinë për t’i dhënë çdo roli identitet dhe thellësi artistike.
Nga viti 2002 deri më 2005, ai drejtoi edhe Teatrin e Gjilanit, duke dhënë kontribut në zhvillimin dhe jetën institucionale të këtij teatri.
Teatri i Gjilanit e ka cilësuar ndarjen e tij nga jeta si një humbje të madhe për trupën dhe skenën teatrore.
“Rolet, puna dhe kujtimi i tij do të jetojnë përgjithmonë në historinë e teatrit tonë”, thuhet në njoftimin e Teatrit të Gjilanit./KultPlus.com






