Irani ka deklaruar se është i gatshëm të rihapë Ngushticën e Hormuzit brenda 48 orëve, nëse Shtetet e Bashkuara pranojnë të përmbushin kërkesat e tij. Ky propozim vjen pas një plani të mëparshëm, në të cilin Teherani kishte parashikuar një afat prej shtatë ditësh për rikthimin e qarkullimit në këtë korridor strategjik detar.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, e konsideroi shkurtimin e afatit si një tjetër dëshmi të gatishmërisë së Iranit për të vepruar me mirëbesim.
Ai u shpreh se përmbushja e kërkesave të Teheranit do të mundësonte rikthimin e sigurisë në Ngushticën e Hormuzit, si dhe rifillimin e negociatave brenda një periudhe të shkurtër.
Baghaei bëri të ditur se komunikimet me Shtetet e Bashkuara po zhvillohen përmes ndërmjetësve, ndërsa theksoi se vijimi i procesit varet nga përgjigjja e palës amerikane ndaj kushteve të vendosura nga Irani.
“Vetëm atëherë mund të diskutojmë për fazat e mëtejshme”, deklaroi ai.
Ngushtica e Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme detare për transportin ndërkombëtar të energjisë, është kthyer në një nga pikat kryesore të tensioneve në Lindjen e Mesme që prej shpërthimit të luftës në fund të muajit shkurt.
Irani ka pretenduar kontrollin mbi këtë korridor dhe ka ndërmarrë veprime ndaj anijeve që tentojnë të kalojnë pa autorizimin e tij. Në përgjigje, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur një bllokadë detare ndaj porteve iraniane.
Fillimisht, Teherani kishte propozuar një plan shtatëditor, të cilin ia kishte përcjellë Uashingtonit përmes Katarit. Sipas këtij propozimi, ngushtica do të rihapej në ditën e gjashtë, pasi pala amerikane të plotësonte kushtet e kërkuara nga Irani.
Këto kushte përfshijnë përfundimin e luftës në të gjitha frontet e Lindjes së Mesme, lirimin e aseteve iraniane të ngrira jashtë vendit, heqjen e sanksioneve ndaj sektorit të naftës dhe përfundimin e bllokadës detare amerikane.
Ndërkohë, që prej muajit gusht, Uashingtoni ka ndërmarrë një valë të re sanksionesh ekonomike ndaj Teheranit, si pjesë e strategjisë që administrata amerikane e ka cilësuar si “asfiksim ekonomik” të Iranit.
Paralelisht me përpjekjet diplomatike, tensionet ushtarake vijojnë të mbeten të larta. Gjatë ditëve të fundit, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë shtuar paralajmërimet për mundësinë e rifillimit të sulmeve ndaj Iranit.
Të shtunën, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se kishte ende një ose dy objektiva me të cilët duhej të merrej, duke përmendur edhe “Pickaxe Mountain”, një zonë në Iranin qendror që dyshohet se mund të ketë lidhje me programin bërthamor të vendit. Teherani i ka mohuar pretendimet për një lidhje të tillë.
Në reagimin e tij, zëdhënësi iranian paralajmëroi se çdo sulm i ri ushtarak ndaj vendit të tij do të përballej me kundërpërgjigje të menjëhershme.
“Çdo akt agresioni kundër Iranit, çdo sulm ushtarak, pavarësisht mjeteve të përdorura, do të marrë një përgjigje të fuqishme, të menjëhershme dhe gjithëpërfshirëse”, deklaroi Baghaei gjatë një konference për mediat të Ministrisë së Jashtme.








