Punimet për rikonstruksionin e rrugës “Faik Konica” në lagjen Dizhon po hyjnë në fazën përfundimtare, duke i dhënë kësaj zone një infrastrukturë më moderne dhe kushte më të mira për banorët.
Ecurinë e punimeve e inspektuan Kryetari i Këshillit të Komunës së Çairit, Muhamed Murtezi, dhe Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamed Hoxha, të cilët u njohën nga afër me fazën përfundimtare të realizimit të projektit.
Në kuadër të investimit është ndërtuar rrjeti i kanalizimit fekal, është rindërtuar rrjeti i ujësjellësit për çdo shtëpi, ndërsa aktualisht po realizohen punimet për asfaltimin e rrugës dhe ndërtimin e trotuareve.
Me përfundimin e këtyre punimeve, banorët e lagjes Dizhon pritet të përfitojnë një rrugë tërësisht të rikonstruktuar, me infrastrukturë të përmirësuar dhe kushte më të sigurta për qarkullim.







