Një grup i organizuar kriminal prej 21 personash është shkatërruar gjatë një aksioni të koordinuar të Ministrisë së Punëve të Brendshme, pas një hetimi disa mujor për tregti të paligjshme me drogë dhe kriminalitet ekonomik.
Aksioni u zhvillua më 30 shtator nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Serioz, në bashkëpunim me Drejtorinë e Inteligjencës Financiare dhe Departamentin për Operacione Policore Speciale, nën drejtimin e një prokurori publik.
Grupi përbëhej nga 20 persona nga Prilepi dhe një nga Shkupi. Në kuadër të aksionit janë kontrolluar 36 lokacione – 33 në Prilep, dy në Shkup dhe një në Strugë. Nga kontrollet janë privuar nga liria 20 persona.
Gjatë aksionit janë sekuestruar lëndë narkotike, një pistoletë me gaz, municion, vetura dhe motoçikleta, telefona celularë, peshore dhe pajisje të tjera, si dhe një shumë e madhe parash në denarë dhe valutë të huaj.
Sipas MPB-së, katër persona akuzohen për prodhim dhe shpërndarje të paautorizuar të drogës dhe për larje parash, ndërsa 16 të tjerë për vepra që lidhen me tregtinë e paligjshme të narkotikëve. Një person nga Shkupi dyshohet për larje parash.
Sipas hetimit, grupi dyshohet se siguronte kokainë dhe marihuanë nga persona nga Shqipëria, Struga, Dibra dhe Gostivari, ndërsa më pas droga shpërndahej përmes një rrjeti rishitësish në disa qytete të vendit.
MPB-ja pretendon se paratë e fituara nga shitja e drogës janë përdorur për blerjen e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme, ndërsa një pjesë e tyre dyshohet se është futur në qarkullimin e ligjshëm financiar për të fshehur origjinën e tyre.
Sipas autoriteteve, bëhet fjalë për 4.990.270 denarë dhe 64.670 euro të dyshuara si të ardhura nga aktiviteti kriminal.






