Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, ka thënë sot se Serbia është një vend ushtarakisht neutral, por ‘duke pasur parasysh situatën gjeopolitike në Kosovë, vendi duhet të angazhohet edhe në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse për të ruajtur sovranitetin’.
”Dhe kur kësaj i shtojmë gjithçka që po ndodh në Kosovë dhe politikën e imponimit të zgjidhjeve absolutisht të pafavorshme dhe presionet ndaj serbëve dhe komunitetit serb, vërtet na drejton që të jemi shumë, shumë të fokusuar në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse”.
Këto deklarata ai i dha duke iu referuar reagimeve negative të Perëndimit lidhur me blerjen e një sistemi kundërajror nga Rusia, i cili shkatërron dronët.
Ai po ashtu ka thënë se për këtë qëllim Serbia dëshiron të blejë pajisje ushtarake që nuk prodhohen në Serbi, por se jo të gjitha tregjet janë njësoj të hapura për këtë.
”Aty ku mund të duam të blejmë, ata nuk duan të na shesin disa gjëra”.
Tutje Vuçeviq tha se historikisht janë përsëritur momentet kur fuqitë e mëdha i kanë bërë Serbisë kërkesa të caktuara që bien ndesh me interesat kombëtare dhe shtetërore dhe se pret që në të ardhmen të ketë më shumë.