Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski, zhvilloi një takim pune me kryetarin e Odës Ekonomike të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Branko Azeski, ku u diskutua për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet ministrisë dhe Odës, me theks të veçantë në aktivitetet aktuale që po zbatohen në fushën e zhvillimit ekonomik lokal dhe investimeve infrastrukturore, të cilat paraqesin mundësi për përmirësimin e kushteve të punës për kompanitë në nivel lokal informon Tetovasot.
Në takim u theksua se komunat e forta dhe funksionale përfaqësojnë një nga parakushtet kyçe për ekonomi konkurruese, tërheqjen e investimeve dhe zhvillimin e barabartë rajonal.
Në fokus të bisedimeve ishin disa tema të rëndësishme që lidhen me procesin e decentralizimit, gjetjen e mënyrave për shfrytëzim të përbashkët të fondeve, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit të Odës me komunat dhe rajonet planifikuese.
“Vetëqeverisja lokale paraqet partner të rëndësishëm në krijimin e një mjedisi të favorshëm dhe të parashikueshëm për zhvillimin e sektorit privat, veçanërisht përmes zbatimit efikas të kompetencave, ofrimit të shërbimeve më cilësore dhe krijimit të kushteve më të mira për punë dhe zhvillim”, deklaroi ministri Perinski.
Theks i veçantë iu kushtua digjitalizimit të shërbimeve lokale, ku u vlerësua se transformimi digjital i komunave paraqet mbështetje të drejtpërdrejtë për sektorin privat. Në këtë drejtim u theksua se çdo afat i shkurtuar, çdo procedurë e thjeshtuar dhe çdo shërbim elektronik nënkuptojnë institucione më efikase dhe klimë më të mirë afariste për kompanitë.
Në takim u diskutua edhe për aktivitetet lidhur me përditësimin e bazave të tatimpaguesve, ku u potencua rëndësia e vendosjes së një sistemi të drejtë dhe transparent, përmirësimit të arkëtimit të të hyrave lokale dhe orientimit të tyre drejt shërbimeve dhe infrastrukturës që u kthehen drejtpërdrejt qytetarëve dhe kompanive.
Në pjesën e zhvillimit të barabartë rajonal u hap edhe çështja e pjesëmarrjes së komunitetit të biznesit në proceset e planifikimit dhe krijimit të politikave në nivel lokal dhe rajonal. Me këtë rast u theksua se komuniteti i biznesit është i përfshirë që në fazën e përgatitjes së politikave zhvillimore përmes përfaqësuesit të vet në Këshillat për Zhvillim të Rajoneve Planifikuese, duke mundësuar pjesëmarrje aktive në krijimin e prioriteteve rajonale dhe drejtimeve zhvillimore.
Ministri Perinski theksoi se Ministria e Vetëqeverisjes Lokale mbetet e përkushtuar në mbështetjen e iniciativave që do të kontribuojnë për komuna më efikase dhe shërbime më të mira për qytetarët dhe kompanitë.Tetovasot





