Miloshoski: Filipçe, Zaev dhe Ahmeti mbrojnë skandalin e mazutit 167 milionë euro

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonijo Miloshoski, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, e udhëhequr nga Islam Abazi, për të ndaluar procedurën hetimore lidhur me furnizimet me mazut për TEC Negotino, me vlerë rreth 167 milionë euro.

Sipas Miloshoskit, vendimi për mbylljen e rastit është i dyshimtë dhe politikisht i motivuar, duke akuzuar se Abazi vepron nën ndikimin e figurave të LSDM-së dhe BDI-së.

Ai përmend se në këtë rast ishin të dyshuar, mes tyre edhe Vasko Kovaçevski, i cili sipas tij ndodhet jashtë vendit dhe është i paarritshëm për organet e drejtësisë, si dhe persona të tjerë të lidhur me furnizimet e mazutit.

Miloshoski thekson se Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit më herët ka konstatuar parregullsi në këtë tender, duke përfshirë pagesa për sasi të padorëzuara të mazutit.

Sipas tij, ndalimi i hetimit ngre dyshime serioze për mungesë transparence dhe minon besimin në sistemin e drejtësisë.

“Pse u ndal procedura pikërisht tani? A ka mungesë provash apo ndikim politik? A janë dëgjuar të gjitha palët para këtij vendimi?”, pyet Miloshoski.

Ai kërkon që Kovaçevski të kthehet dhe të përballet me drejtësinë, duke theksuar se arratisja nuk duhet të shërbejë si arsye për mbyllje të rasteve penale.

Në fund, VMRO-DPMNE kërkon dorëheqjen e shefit të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, Islam Abazi, duke e akuzuar atë për humbje të besimit publik në drejtësi./Ora24.tv

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit