16.4 C
Skopje
Monday, October 7, 2024

Miku te porta e shqiptarit

Nga: Ndriçim Kulla

Thuhet se shumë popuj, në mendësinë e tyre, i kanë ruajtur malet për hyjnitë. Malësorët tanë, duke qenë se i kanë ato të vetmet troje banimi, kanë qenë të detyruar ose t’i dëbojnë hyjnitë prej andej, ose t’i përshtatin sipas vetvetes, në mënyrë që të mund të jetojnë si të përzierë me ta.

Vetëm kështu shpjegohet kjo botë gjysmë e rrokshme, gjysmë fantastike e Kanunit, e ngjashme aq shumë me kohërat homerike. E, po kështu shpjegohet krijimi i perëndive të tilla si “miku”, sepse miku është vërtet i tillë në botën e rregullave kanunore. Edhe fakti që çdo njeri i zakonshëm mund të ngrihet befas në lartësinë e mikut, nuk e zbeh, përkundrazi, e thekson akoma edhe më shumë hyjninë e tij.

Që ky hyjnizim fitohet befasisht dhe rastësisht, brenda një mbrëmjeje, vetëm me një trokitur në portë, e bën atë akoma edhe më tronditëse. Qysh në çastin që udhëtari më i rëndomtë, me opinga dhe trastë në krahë troket në portë dhe të dorëzohet mik, aty për aty ai shndërrohet në njeri të jashtëzakonshëm, në një sovran të paprekshëm, ligjvënës, në dritë të botës. Pikërisht kjo befasi e shndërrimit është ajo që përafrohet aq shumë me shijen e jetës së hyjnive.

Ja, kështu shfaqet miku te porta e shqiptarit. Dhe, si të gjitha hyjnitë, ai është plot enigmë dhe vjen drejt e nga mbretëria e fatit apo fatalitetit, s’ka rëndësi. Trokitja e tij është e tillë, saqë breza të tërë njerëzorë mund të vazhdojnë të jetojnë ose të shuhen nga kjo botë për shkak të saj. Ja, ky është miku. Prandaj, prerja e mikut në besë është për shqiptarin gjëma më e madhe.

Një zezonë, një fund i vërtetë bote. Po përse vallë arsyeja e shqiptarit arriti të krijonte institucionit e mikut, duke e ngritur atë mbi të gjitha lidhjet e tjera njerëzore, madje edhe mbi ato të gjakut. Ishte e vetmja mënyrë që një njeri i thjeshtë, në një ditë apo në një natë të thjeshtë, të ngrihej në një lartësi marramendëse. Dhe, siç duket, njeriu i bjeshkëve e ndjente këtë nevojë, duke e çmuar spektrin e mikut në nivelin e një sovrani. Veçse, për ta marrë atë spektër, në dallim nga shoqëritë dhe zakonet e tjera, nuk është e thënë as të ngresh thikën e as të përgatitësh helmin.

Mjafton vetëm një e trokitur. Atëherë, përderisa çmohet kështu, përse të mos mendojmë se në jetën plot rreziqe dhe varfëri të banorit të bjeshkës, të qenit mik, qoftë për 24 orë apo qoftë edhe katër orë, është një lloj çlodhje, një harrim, një armëpushim, një ikje nga hirnosja e përditshme drejt një mjedisi hyjnor.

Nga ana tjetër, përderisa shtëpia e shqiptarit ishte një kullë, një kështjellë e vogël, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, përderisa ndërtimi i brendshëm i familjes, sipas Kanunit, të kujtonte një strehë të vogël shtetërore, ishte e kuptueshme që edhe kuvendimi i shqiptarit, në këtë kohë të madhërishme të mikpritjes, të ishte i stilit shtetëror, le të themi retorik, i fryrë për një anë, por monumental, për një anë tjetër.

 

 

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lajmet e fundit