11.8 C
Skopje
Saturday, May 25, 2024

Mbi macet dhe vajzat …

Sinqerisht, çfarë do të bëje ti si prind në një situatë të tillë: Është dita e parë e shkollës për vajzën tënde gjashtëvjeçare, dhe ti i ke përzgjedhur me tërë qejfin një fustan. Ajo e vesh, por në momentin që ti i kthen shpinën, e zhvesh, e bën shuk dhe e fut në çantë dhe shkon në shkollë me pantallona të shkurtra dhe kanotiere. Një skenë kjo nga filmi i ri i Elda Sorrës, Mbi macet dhe vajzat, një tablo momenti nga jeta e një gjashtëvjeçareje në një qytet periferik në Shqipëri: Adea (Nergis Nikprelaj) preferon të luajë futboll dhe të veshë pantallona edhe pse e ëma (Rovena Lule) përpiqet t’ia heq vajzës këtë “ves”. E vetmja që i jep besim fëmijës se bota e saj nuk është aq anormale, siç pretendojnë nëna dhe shoqet, është pikërisht gjyshja (Rita Gjeka) që i jep fshehurazi pantallonat Adeas, e bashkë me to, edhe forcën për të besuar në vetvete.

Pas prezantimit së parë në Short Film Corner në kuadër të Festivalit të Kanës (maj 2023) , premierës gjermane në Neisse Filmfestival (maj 2023), premierës ballkanike në Dokufest të Prizrenit (gusht 2023) , dhe premierës në Shqipëri, në Festivalin e Filmit në Tiranë (shtator 2023), Mbi macet dhe vajzat u shfaq së fundmi (tetor 2023) në Female Filmmakers Festival në Berlin. Krahas çmimit për aktrimin më të mirë për Nergis Nikprelajn, në rolin e Adeas – personazhit kryesor – filmi u nominua edhe si një ndër tre filmat më të mirë në kategorinë e metrazhit të shkurtër.

Filmi i dytë i Elda Sorrës si regjisore, sikurse i pari, Pamçka (2017) – laureat i disa çmimeve ndërkombëtare – përmban shumë elemente autobiografike. Është një moment nga fëmijëria që 45-vjeçarja ka kaluar në Shqipëri deri në fillim të korrikut 1990, kur familja e saj vendosi të kapërcente gardhin e Ambasadës Gjermane në Tiranë dhe të shpërngulej përfundimisht në Gjermani.

Në 18 minutat intensive të filmit, Elda Sorra ruan perspektivën e fëmijës: Një fëmije që lufton në mënyrë të pavetëdijshme me tutelën e konvencioneve shoqërore. “Kjo është një histori shumë personale”, thotë Elda Sorra në intervistë me DW. “Atë ndjesi dhe ato emocione që kam përjetuar në fëmijëri doja t’u jepja një trajtë universale dhe kështu nisa punën për ta përkthyer në gjuhën e artit filmik”.

Për xhirimin e filmit ajo u kthye sërish në Shqipëri, jo në Tiranë ku është rritur, por në Peqin ku kalonte pushimet e verës, te shtëpia e pabanuar e gjyshes. “Ngjarja luhet në Peqin, por ajo mund të ndodhte në çdo vend të Shqipërisë dhe kudo në botë”, thotë regjisorja. “Sepse për fat të keq, vullneti për t’u dhënë fëmijëve hapësirat individuale për të shpalosur identitetin e tyre, vijon të jetë i kufizuar”.

Prandaj, edhe ngjarja nuk zhvillohet në vitet 1980, por në kohën e sotme: “Ajo që ka ndryshuar është teknologjia; fëmijët kanë Ipad-in dhe Iphone-in e fundit; prindërit kanë makina në vend të biçikletave, por dallimet mes vajzave dhe çunave kanë mbetur të njëjta dhe sidomos për fëmijët që janë ndryshe. Ngushtësia në të cilën shtyhen vajzat, ka mbetur, siç e kam përjetuar edhe unë vetë para 35 vjetësh”.

“Që gjërat kishin ndryshuar shumë pak e vura edhe gjatë përzgjedhjes së vajzës që do të luante rolin kryesor”, rrëfen Elda Sorra: “140 aplikime kisha marrë pas shpërndarjes në rrjete sociale. Përzgjedhjen e parë e bëra nëpërmjet Zoom-it. Vajzat nuk e dinin fare se çfarë roli kishin, por ato kishin ardhur të tëra të veshura si princesha dhe ishte interesante të shikoje se pikërisht në atë moment kur vajzat tregonin karakterin e tyre autentik, mamatë ndërhynin me vërejtje për t’i kthyer në korsinë e pritshmërive sociale.  Por, ishte edhe shumë mbresëlënëse të shikoje këto vajza, që megjithëse shumë të ndryshme në karaktere, secila në mënyrën e vet i rezistonte instinktivisht pritshmërive të prindërve. Dhe, kjo sërish më kujtoi veten time, 35 vjet më parë”.

Për Elda Sorrën ky ishte filmi i dytë me metrazh të shkurtër si regjisore, një zanat që ajo e ka mësuar në mënyrë autodidakte. Megjithë suksesin e filmit të parë, i cili u laureua me disa çmime, produksioni i dytë nuk përfitoi nga fondet zyrtare të financimit të filmit në Gjermani. “Filma si ky imi, që nuk kanë lidhje me Gjermaninë, e kanë thuajse të pamundur të gjejnë financues në Gjermani”, shpjegon Elda Sorra. Ndërsa, për të aplikuar për fondet e Shqipërisë, ajo nuk ishte zyrtarisht shtetase e Shqipërisë, pasi Gjermania nuk e lejon shtetësinë e dyfishtë. Vetëm në maj 2023, qeveria më në fund aprovoi një ligj për lejimin e shtetësisë të shumëfishtë, i cili pritet të ratifikohet nga parlamenti në fund të këtij viti.

E pakompromis siç është, Elda Sorra nuk ishte e gatshme të sajonte ngjarje në lidhje me Gjermaninë, vetëm e vetëm për të marrë fonde. “Unë nuk doja të portretizoja një fëmijë refugjat në Gjermani; mesazhi do të ishte komplet ndryshe”, thotë Elda, “prandaj edhe filmin e financova vetë, të gjithin, duke hedhur çdo cent që fitoja në këtë projekt”. Një sfidë e madhe, por për të cilën ajo nuk pendohet aspak.

Elda Sorra, Portret, një grua me flokë të zeza të shkurtra, me shikim të mprehtë në drejtim të objektivit, e veshur me një këmishë të bardhë të mbërthyer me kopsa deri tek qafa. Elda Sorra, Portret, një grua me flokë të zeza të shkurtra, me shikim të mprehtë në drejtim të objektivit, e veshur me një këmishë të bardhë të mbërthyer me kopsa deri tek qafa.

“Kjo përvojë më afroi me veten dhe më mundësoi një lidhje më të natyrshme me Shqipërinë. Por, edhe përvoja e xhirimit në Peqin ishte diçka shumë emocionale. Aty më mbështetën të gjithë, që nga fëmijët e lagjes e deri te Kryetari i Bashkisë. Kam ndiesinë se me këtë film më në fund bëra paqe me vendin tim”, thotë 45-vjeçarja.

Teksa Mbi macet dhe vajzat po bën xhiron nëpër festivale të ndryshme në Evropë, ajo vetë është duke përgatitur filmin e tretë me metrazh të shkurtër, i cili do të xhirohet sërish në Shqipëri. Filmi është tani në fazën e financimit dhe Elda shpreson që me këtë sukses do ta gjejë mbështetjen në  fonde nga Gjermania dhe Shqipëria, në mënyrë që të vazhdojë rrugën e saj si regjisore, pa hequr dorë nga profesioni i parë i saj, aktrimi. Një nga rolet e saj të fundit mund të shihet aktualisht në mediatekën e kanalit televiziv publik gjerman, ZDF, në miniserialin me katër episode, Füxe. /DW/

 

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

EVN

Lajmet e fundit