“I nderuar President i Këshillit Evropian, zoti Koshta,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Më lejoni që fillimisht t’i uroj mirëseardhje Presidentit Koshta dhe sinqerisht ta falënderoj për vizitën e sotme, për bisedën dhe për vëmendjen e kushtuar ndaj rajonit tonë, ndaj sfidave tona, por edhe ndaj pritshmërive tona.
Patëm takim të hapur, të sinqertë dhe përmbajtësor.
Biseduam për të ardhmen evropiane, për gjendjet në rajon, për reformat, ekonominë, sundimin e së drejtës, transformimin institucional, por edhe për një çështje shumë më të thellë – nëse ideja evropiane vazhdon të mbetet një ide që frymëzon, bashkon dhe krijon besim.
Qëndrimi ynë është i qartë.
Mbetemi fuqishëm të përcaktuar në rrugën evropiane.
Nuk kërkojmë privilegje. Nuk kërkojmë rregulla të lehtësuara. Nuk kërkojmë asgjë që nuk u takon edhe të tjerëve.
Kërkojmë parime dhe proces normal, të besueshëm dhe të parashikueshëm. Kërkojmë proces në të cilin reformat, puna, meritat dhe detyrimet e përmbushura do të vlerësohen në mënyrë reale.
Gjatë periudhës së kaluar kemi punuar me përkushtim në agjendën reformuese, në forcimin e institucioneve, në stabilizimin e ekonomisë, në tërheqjen e investimeve, në përmirësimin e shërbimeve publike dhe në krijimin e një sistemi që do të jetë më efikas, më i drejtë dhe më afër qytetarëve.
Por gjithashtu, sot folëm hapur edhe për realitetin që e ndjejnë shumë nga qytetarët tanë.
Pas kaq viteve pritje, kompromise, pritshmërive, kërkesave të përmbushura dhe ndryshimeve të shpeshta të kontekstit politik, është e natyrshme që ata, në njëfarë kuptimi, të ndjejnë pasiguri më të madhe, ndërsa nga ana tjetër nevojitet më shumë siguri dhe parashikueshmëri.
Pikërisht për këtë arsye, sot nevojitet lidership. Nevojitet qartësi. Nevojitet besim.
Evropa ka qenë më e fortë atëherë kur ka treguar vizion, guxim politik dhe qëndrueshmëri ndaj vlerave të veta. Kur ka qenë një hapësirë mundësish, drejtësie dhe parashikueshmërie.
Biseduam edhe për integrimin ekonomik, ndërlidhjen infrastrukturore, sigurinë energjetike, investimet, konkurrueshmërinë dhe hapjen e perspektivave të reja për brezat e rinj.
Sepse integrimi evropian nuk është një temë abstrakte politike. Për qytetarët ai nënkupton arsim më cilësor, shëndetësi më të mirë, institucione efikase, vende të sigurta pune, standard më të lartë jetese dhe ndjenjën se e ardhmja mund të ndërtohet në vendin e tyre, e jo jashtë tij.
Unë besoj në dialogun e partneritetit. Besoj në bisedën e sinqertë, respektin e ndërsjellë dhe mirëkuptimin reciprok.
Por besoj gjithashtu se dinjiteti, identiteti dhe qëndrueshmëria ndaj parimeve nuk duhet të jenë pengesë për perspektivën evropiane – ato janë pjesë përbërëse të saj.
Dua edhe një herë ta falënderoj Presidentin Koshta për vizitën e sotme dhe për bisedën që zhvilluam.
Do të vazhdojmë të punojmë, të zbatojmë reforma, të japim rezultate dhe të jemi një partner serioz dhe konstruktiv.
Me durim, me pjekuri, me vetëbesim dhe me një vizion të qartë për të ardhmen.
Të bindur se e ardhmja evropiane mund të jetë e suksesshme vetëm nëse ndërtohet mbi besimin, respektin e ndërsjellë, parimet dhe ndjenjën se përparimi ka kuptim dhe vlerë për çdo qytetar.