Mickoski: Rikonstruksioni i Qeverisë pas 17 qershorit

VMRO-DPMNE më 17 qershor do ta festojë ditëlindjen e partisë në stadiumin në Strumicë, ndërsa më pas do të fillojnë bisedimet për rikonstruksionine Qeverisë, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski pas përurimit të Azilit të pleqve “PUSZ Oaza by Adora” në Komunën e Ilindenit. Lidhur me paralajmërimet për zgjedhje parlamentare, ai tha se VMRO-DPMNE dëshiron zgjedhje të rregullta, por nëse sfidohet, do të shkojë në zgjedhje para afatit dhe do të fitojë.

“Javën e ardhshme pas ditëlindjes, e cila do të jetë më 17 qershor në Strumicë duke filluar nga ora 20:00 në stadium, do të fillojmë bisedimet me partnerët e koalicionit qeveritar për rikonstruksionin e Qeverisë”, tha Mickoski në përgjigje të pyetjes së gazetarëve.

Duke i komentuar pohimet e LSDM-së opozitare se Qeveria po shkon në zgjedhje sepse ka shpenzuar para shtetërore dhe se ato nuk do të jenë alibi për zgjedhje të parakohshme, kryeministri Mickoski tha se as njëra as tjetra nuk kanë kuptim. Mickoski theksoi se qëndrimi i tyre është se nuk duhet të ketë zgjedhje të parakohshme, se ata kanë marrë mandat nga qytetarët për katër vjet dhe duan të shkojnë në zgjedhje të rregullta parlamentare që do të zhvillohen në pranverën e vitit 2028, por nëse sfidohen, duhet të jenë të përgatitur, si çdo opsion serioz politik.

“Nuk do të ndërhyj në strategjinë e tyre. Thjesht e di që, duke folur politikisht, kur hyn në gjysmën e dytë të mandatit, është logjike të jesh i përgatitur për zgjedhje, pavarësisht nëse janë të rregullta apo të jashtëzakonshme, me kërkesë të opozitës. Këtu, opozita jonë nuk e kërkon, opozita jonë është e fshehur, janë tre ose katër që mbajnë konferenca për shtyp plot me të pavërteta dhe fyerje, më shpesh ndaj meje. Dhe tani që kanë mundësinë të tregojnë veten në terren, të shohin se sa efekt kanë gënjeshtrat dhe fyerjet e tyre ndaj meje, ata thjesht po ikin. Kjo nuk do të jetë hera e parë që LSDM e ka bërë këtë. LSDM e ka bërë këtë shumë herë në histori”, tha Mickoski.

Kryeministri shtoi se nuk kanë ndërmend të shpallin zgjedhje të parakohshme dhe se qëllimi i tyre janë zgjedhjet e rregullta, por nëse ato, siç tha ai, shpallen, atëherë do të shkojnë në zgjedhje dhe do të fitojnë.

Lidhur me tërheqjen e paralajmëruar të Ali Ahmetit nga pozicioni i liderit në BDI, Mickoski tha se nuk do të donte të komentonte sepse këto janë çështje të brendshme të partive, ashtu siç nuk do të donte që askush të komentonte për punët e brendshme të VMRO-DPMNE-së

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit