Mickoski: Jemi pranë marrjes së vendimit që shteti, përmes SHA EMV, të financojë dhe ndërtojë projektin Çebren dhe Galishte, ndërsa konturet e para serioze të shfaqen deri në vitin 2037

Udhëheqësia e EMV-së dhe Ministria e Energjetikës, Burimeve Minerale dhe Minierave po punojnë për formimin e një sindikati ndërkombëtar, përkatësisht sigurimin e një kredie të sindikuar nga disa institucione financiare ndërkombëtare me reputacion, prej së cilës varet e ardhmja e projektit për ndërtimin e dy hidrocentraleve Çebren dhe Galishte. Sipas informacioneve të deritanishme, këto përpjekje po rezultojnë të suksesshme, zbuloi Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, në intervistën për podkastin “Ku janë paratë?” me Goran Temenugov.

 

“Ende nuk kemi konfirmim dhe ende nuk kemi fillim të realizimit të këtij projekti, por jemi shumë pranë marrjes së vendimit që shteti, përmes EMV-së, ta financojë dhe realizojë këtë projekt. Ai është i rëndësishëm jo vetëm për shtetin, por edhe për rajonin, duke pasur parasysh ndryshimet klimatike. Jam i bindur se në vitet dhe dekadat që vijnë, rajonit, e veçanërisht Maqedonisë, na nevojiten dy rezervuarë të rinj për ujë.

 

Boshkov Most, për arsye të arsyeshme, dhe Llukovo Pole nuk u ndërtuan. E vetmja gjë që aktualisht ka potencial, me prurje të konsiderueshme dhe hidrologji të favorshme në lumin Cërna, është kjo kaskadë – Çebren dhe Galishte. Madje ekziston mundësia që Çebreni të jetë reversibil, por kjo ende po analizohet si zgjidhje teknike nga ekspertët e përfshirë në projekt”, tha Mickoski.

 

Ai theksoi se, përveç sigurimit të ujit të pijshëm, rëndësia strategjike e këtyre dy rezervuarëve potencialë qëndron edhe në nevojën për ujitjen e këtij rajoni bujqësor në Maqedoni, ndërsa më pas, por jo më pak e rëndësishme, është edhe mundësia për zhvillimin turistik të rajonit.

 

“Më pas do të flisja për prodhimin e energjisë elektrike, por unë këta rezervuarë i shoh më shumë si bateri të mëdha, përkatësisht akumulime që mund të grumbullojnë energji dhe praktikisht ta nivelojnë pikun, gjegjësisht konsumin.

Ky është një projekt që sjell vlerë të shtuar për ekonominë maqedonase, sepse financohet, dhe dëshira jonë është të financohet, me mjete nga jashtë, me grejs periudhë të njejtë me periudhën e ndërtimit prej 8 deri në 10 vjetësh. Gjithçka mund të përfshijë komponentë vendorë dhe të krijojë vlerë të shtuar në ekonominë tonë”, sqaroi Mickoski.

 

Dallimi se pse projekti do të financohej përmes EMV-së dhe jo përmes buxhetit shtetëror me huamarrje kreditore, kryeministri u përgjigj:

“Sepse në atë rast do të hynte në deficit. Nëse realizohet përmes SHA EMV, nuk hyn në deficit. Është krejt ndryshe. Ky është një projekt me normë të lartë kthimi dhe me vlerë të lartë aktuale neto.

 

Së dyti, ambicia jonë është që të bëhemi kryqëzim i dy korridoreve kryesore me të gjithë infrastrukturën shoqëruese, përfshirë projektin e hekurudhës e cila duhet të ndërtohet në Korridorin 10 dhe krahun perëndimor të hekurudhës në Korridorin 8. Këto janë mjete që, ndryshe nga SHA EMV, NP Rrugët Shtetërore apo Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastrukturë dhe Transport, shumë vështirë do të mund të financoheshin.

 

Prandaj, ne ato dy projekte do të duhet t’i realizojmë përmes Ministrisë së Transportit dhe në atë rast kjo do të hyjë në deficitin buxhetor. Kështu që, në një moment, në 10 vitet e ardhshme, do të paraqiten projekte me vlerë prej rreth dhjetë miliardë eurosh, një pjesë iniciativa private dhe një pjesë iniciativa shtetërore”, sqaroi kryeministri Mickoski.

 

Sa i përket kapacitetit të shtetit për projekte të tilla, si nga aspekti i ndërtimtarisë, ashtu edhe nga aspekti i pajisjeve mekanike për hidrocentralet, Mickoski theksoi se menjëherë pas kthimit nga Samiti në Tivat ka filluar takime me kompanitë maqedonase të ndërtimit.

 

“Në këto takime po diskutohet për kapacitetet ekzistuese, çfarë mund të realizohet në vend dhe çfarë duhet të kërkohet nga jashtë, me qëllim që të vlerësohet se sa nga mjetet financiare do të mbeteshin në ekonominë maqedonase përmes angazhimit të të gjithë kapacitetit. Zgjidhja e vërtetë projektuese është që të arrijmë t’i optimizojmë të gjitha këto kosto dhe sa më shumë prej tyre të realizohen në vend, sepse sa më shumë të realizohen këtu, aq më mirë”, theksoi Mickoski.

 

“Kam filluar takime me kompanitë maqedonase të ndërtimit për t’ua prezantuar ambiciet dhe planin e shtetit dhe ta shohim njeri-tjetrin në sy që të dimë çfarë mund të bëjmë vetë në vend dhe çfarë do të duhet të kërkojmë jashtë. Nëse hyjmë në një marrëveshje për huamarrje, duhet ta përfundojmë atë projekt sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të gjenerojmë të ardhura dhe të mund ta shlyejmë borxhin.

 

Aktualisht kapaciteti nuk është aq i madh sa nevoja dhe ambicia jonë, e cila është mesatarisht nga rreth një miliard euro në vit. Megjithatë, u dakorduam që të kemi një rritje prej rreth 25 deri në 30 për qind në nivel vjetor, gjë që pas një periudhe të caktuar do të na mundësojë të arrijmë rreth gjysmën e asaj që është ambicia jonë. Gjysmën tjetër do të duhet ta kërkojmë nga kompani ndërtimore nga jashtë”, tha Mickoski në intervistë.

 

Sa i përket pjesës mekanike të hidrocentraleve dhe burimit të furnizimit të saj, Mickoski theksoi se për këtë do të shpallet tender, i cili do të organizohet së bashku me sindikatën potenciale të huadhënësve, për të cilët tha se bëhet fjalë për kompani me reputacion, banka dhe institucione të mëdha financiare.

 

“Nëse gjithçka shkon sipas planit, ne synojmë që procedurën ta fillojmë sipas parimit “Yellow FIDIC”. Pres që konturet e para më serioze të këtij projekti të shfaqen në periudhën 2035–2037”, zbuloi Mickoski në intervistën për podkastin “Ku janë paratë?” me Goran Temenugov.

 

Со почит/Me respekt,

 

Сектор за односи со јавноста | Sektori për Marrëdhëniet me Publikun

Генерален секретаријат | Sekretariati i Përgjithshëm

Булевар „Илинден“ бр. 2, Скопје | Bul. “Ilinden” nr. 2, 1000 Shkup

Република Северна Македонија | Republika e Maqedonisë së Veriut

+389 2 3123 371; +389 2 3122 375

[email protected]

www.vlada.mk

Facebook

X

https://www.instagram.com/mkvlada/

https://www.youtube.com/VladaMakedonija

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit