Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në seancën e sotme mbikëqyrëse kushtuar gjendjes në Alta Bankë, deklaroi se është optimist se do të gjendet një zgjidhje për bankën, duke theksuar se prioritet kryesor mbetet mbrojtja e kreditorëve dhe ruajtja e vendeve të punës.
“Unë nuk kam të dhëna zyrtare se kush janë pronarët, kush i ka tjetërsuar aksionet dhe çështje të ngjashme. Supozoj se për këtë duhet të japë përgjigje një institucion tjetër. Ajo që ju përmendët, i nderuar deputet Azizi, është një lajm që edhe unë e kam lexuar në media. Por jam i bindur se përmes një hetimi transparent, për të cilin inkurajoj dhe bëj thirrje që të zhvillohet nga organet hetimore dhe Prokuroria Publike, do të vërtetohen dhe konstatohen të gjitha faktet, në mënyrë që opinioni maqedonas të ketë një pasqyrë të qartë”, deklaroi Mickoski.
Kryeministri theksoi se qëllimi kryesor i Qeverisë është që banka të ketë një pronar të ri dhe të shmanget falimentimi i saj. Sipas tij, më e rëndësishmja është mbrojtja e kreditorëve dhe ruajtja e vendeve të punës të të punësuarve.
“Do ta përsëris, prioriteti im, për të cilin pak më vonë do të flasin edhe përfaqësuesit e Bankës Popullore, është që kjo bankë të ketë një pronar, në mënyrë që të mos shkojë drejt falimentimit. Kjo është shumë e rëndësishme dhe unë jam shumë optimist se do të kemi sukses në këtë drejtim, sepse prioriteti ynë mbetet mbrojtja e të gjithë kreditorëve të bankës dhe ruajtja e vendeve të punës të të punësuarve në bankë”, tha Mickoski.
Duke iu referuar pjesës së parë të pyetjes dhe marrëdhënieve financiare ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë dhe kompanisë serbe Alta Banka, Mickoski përmendi një mbledhje qeveritare të vitit 2023, në të cilën ishte diskutuar dhe ishte dhënë autorizim për tjetërsimin e aksioneve të bankës që ishin në pronësi të Qeverisë.
“Sa i përket pjesës së parë të pyetjes suaj dhe marrëdhënies në bazë kreditore ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë dhe kompanisë serbe Alta Banka, në vitin 2023, në mbledhjen ku është diskutuar dhe është dhënë autorizimi që Avokati i Popullit të tjetërsojë aksionet e Alta Bankës që janë në pronësi të Qeverisë së Maqedonisë, kanë qenë të pranishëm zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, ministri i Financave Fatmir Besimi, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ministri i Arsimit Jeton Shaqiri, ndërsa nga radhët e LSDM-së, kryeministri Dimitar Kovaçevski, ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, ministri i Transportit Bllagoj Boçvarski, ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trençevska, Bujar Osmani, Ljupço Nikollovski e të tjerë”, deklaroi ai.
Mickoski drejtoi kritika edhe ndaj opozitës, duke e akuzuar atë për manipulime dhe shpifje lidhur me zhvillimet aktuale në bankë.
“Nëse dikush ka më së paku të drejtë të flasë për atë që po ndodh sot, e aq më pak të manipulojë dhe të shpifë, ajo është pikërisht opozita politike në Maqedoni”, tha kryeministri.
Në fund, Mickoski u bëri thirrje të gjitha partive politike që të mos e pengojnë procesin e gjetjes së një zgjidhjeje për bankën. Ai theksoi se, nëse nuk mund të kontribuojnë në zgjidhjen e problemit, të paktën të mos e vështirësojnë atë.
“Ajo që kërkoj me shumë mirësjellje nga të gjitha partitë politike është që, nëse nuk ndihmoni, ju lutem, të paktën mos pengoni. Na lini të gjejmë një zgjidhje. Jemi optimistë se zgjidhja tashmë është gjetur dhe se ky proces do të përfundojë me sukses, në interes të kreditorëve dhe të vetë bankës”, përfundoi Mickoski.








