Mickoski: Formohet Komiteti për Investime Publike, fokus në projekte strategjike dhe zhvillim ekonomik

Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi formimin e Komitetit për Investime Publike, duke e cilësuar atë si një mekanizëm të ri për vendimmarrje më të përgjegjshme dhe strategjike.

Ai theksoi se investimet publike nuk do të bazohen më në improvizime, por në kritere të qarta, me qëllim që çdo denar nga buxheti të drejtohet drejt projekteve që sjellin rritje ekonomike, hapje të vendeve të punës dhe përmirësim të cilësisë së jetës.

Sipas Mickoskit, prioritet do të kenë investimet në transport, përmes modernizimit të hekurudhave dhe zhvillimit të korridoreve 8 dhe 10, në arsim me ndërtimin e objekteve universitare, si dhe në shëndetësi me avancimin e spitaleve rajonale.

Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e transformimit digjital, investimeve në bujqësi dhe menaxhimin e ujërave, si dhe forcimin e pavarësisë energjetike përmes projekteve të reja dhe burimeve të rinovueshme.

Kryeministri theksoi se të gjitha projektet kanë marrë vlerësim pozitiv nga Ministria e Financave dhe se Komiteti do të ketë rol kyç në përzgjedhjen e prioriteteve përfundimtare.

“Ka ardhur koha që Maqedonia të ndërtojë me mençuri, të investojë në mënyrë strategjike dhe të japë rezultate konkrete”, deklaroi Mickoski.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit