Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka njoftuar se sot ka marrë pjesë në hapjen e kompleksit të ri modern tregtar „Fashion Park Triangla“, në komunën e Gazi Babës në Shkup.
Përmes një postimi, Mickoski e ka cilësuar këtë projekt si një investim të rëndësishëm privat, i cili pritet të sjellë përmbajtje të reja tregtare, brende vendore dhe ndërkombëtare, si dhe veprimtari të ndryshme të gastronomisë dhe shërbimeve.
Sipas tij, investimi pritet të krijojë mundësi për hapjen e rreth 250 vendeve të reja të punës, duke kontribuar kështu në zhvillimin ekonomik të komunës dhe në krijimin e mundësive të reja për qytetarët dhe komunitetin e biznesit.
Mickoski theksoi se investime të tilla përbëjnë një shtysë të rëndësishme për ekonominë lokale dhe zhvillimin e Gazi Babës.
Në fund të postimit, kryeministri uroi investitorët për realizimin e projektit, duke u dëshiruar sukses në vazhdim të aktivitetit të tyre.








